Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 21 Shtator 2026, Receta/ Horoskopi javor/ Histori prekëse/ Fara e zezë, bima me fuqi shëruese

21 Shtator, 16:04 | Përditesimi: 21 Shtator, 16:04

Zonja Mirela solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Fërgesë me speca / Supë me thjerrëza të kuqe / Shkopinj me djathë dhe erëza.

Çfarë do të sjellë kjo javë për secilën shenjë të zodiakut? A do të jetë një periudhë e favorshme për dashurinë, karrierën dhe financat? Cilat shenja do të përfitojnë nga mbështetja e yjeve dhe cilat duhet të tregojnë më shumë kujdes në vendimet e tyre? Si do të ndikojnë lëvizjet e planeteve në energjinë, marrëdhëniet dhe planet tona gjatë ditëve në vijim? Astrologia Denisa Shyle, në "Rreze Dielli" na jep një panoramë të qartë të ndikimit planetar për këtë javë, për secilën shenjë të zodiakut.

Në "Rreze Dielli" kemi kënaqësinë të kemi një çift që prej dy dekadash ecin bashkë në jetë, Erion dhe Eriglena Begën. Një martesë që është përballur me sfida, me momente të vështira, por që, siç thonë edhe vetë ata, falë Zotit, kanë gjetur forcën për të vazhduar. Një histori dashurie që nuk flet vetëm për dy njerëz, por edhe për familjen, besimin, faljen dhe forcën për të mos hequr dorë nga njëri-tjetri. Në një kohë kur duket se shpesh na mungon koha, durimi dhe vëmendja për dashurinë, historia e tyre na bën të ndalemi pak dhe të reflektojmë. Një rrëfim emocionues, nga njohja e tyre në bibliotekën e Universitetit të Parmës, në ardhjen në jetë të dy fëmijëve, dhe më pas një sfidë e vështirë shëndetësore e Erionit. Një jetë e dytë, siç e quan dhe ai vetë, por që kurorëzohet me dasmën e dytë të çiftit. Ndoshta historia e Erionit dhe Eriglenës na kujton diçka shumë të thjeshtë: dashuria nuk matet vetëm me ditët e bukura, ndonjëherë ajo provohet pikërisht atëherë kur jeta bëhet e vështirë.

Në “Bima dhe Shëndeti” flasim sot për farën e zezë, një nga bimët që prej shekujsh është përdorur në mjekësinë popullore për kujdesin dhe forcimin e organizmit. Por çfarë e bën farën e zezë kaq të veçantë? Cilat janë substancat e dobishme që përmban, për cilat shqetësime shëndetësore përdoret dhe si duhet ta përdorim: si farë, e bluar apo në formën e vajit? Sa është sasia e përshtatshme dhe a mund të kombinohet me bimë të tjera për të mbështetur organizmin në probleme të ndryshme shëndetësore? Për këto dhe shumë të tjera flasim me specialistin e bimëve mjekësore, Ylli Merja, i cili na tregon edhe mënyrat tradicionale të përdorimit të farës së zezë si dhe kombinimet e saj me bimë të tjera në mbështetje të shëndetit.

MC/Shqiptarja.com