Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 22 Nëntor 2024 – Receta/ Asnjë çmim për librin për fëmijë/ Arbër Hitaj në krye të Shoqatës së Gazetarëve Europianë

22 Nëntor, 14:14

Zonja Albana solli tre receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Lakër me miell misri dhe kos në furrë / Pulë me oriz në furrë / Supë pule me presh, vezë dhe limon.

“Lajmi që erdhi nga salla e ceremonive ishte një shaka e hidhur dhe e përsëritur. Nuk u dha çmim për letërsinë për fëmijë. U përpoqa të mësoj se çfarë kishte ndodhur dhe më thanë se ‘kështu u vendos’. Kërkova të mësoj më shumë, por nuk mora përgjigje. Më në fund nga burimi zyrtar mësova se nuk kishte ‘mjaftueshëm prurje cilësore’. Ka ardhur koha t’i jepet fund deklaratave pa argumente dhe me verdikte si nga frone zotash, sepse të gjithë, kush më shumë e kush më pak, janë pjesë e këtij realiteti në letërsinë shqipe për fëmijë. Mos i shkarkoni problemet tuaja mbi shkrimtarët! Ata nuk zgjidhin hallet që nuk u takojnë, ndërkohë që me librat e tyre mund të parandalojnë halle dhe probleme që bëhen jetike. Ata shkruajnë dhe do të vazhdojnë të shkruajnë edhe kur rreth tyre të ngrihet një atmosferë mohuese dhe negative që përsëritet kohë pas kohe. Ata do të shkruajnë edhe kur të mbetet lexuesi i fundit.” – Ky është një pasazh i marrë nga revolta e gazetares dhe shkrimtares Rovena Rrozhani pak ditë më parë. As këtë vit nuk u ndanë çmime për letërsinë e fëmijëve. Shkrimtarët ndjehen të shqetësuar për mungesën e një kritike të mirëfilltë të librave që ata shkruajnë, por jo vetëm kaq… Diskutojmë në studion e Rreze Dielli me dy shkrimtaret për fëmijë Rovena Rrozhani dhe Sonila Strakosha mbi problematikat e vërteta të letërsisë shqipe për fëmijë.

Gazetari i Report Tv, Arbër Hitaj, është zgjedhur president i Shoqatës së Gazetarëve Europianë (AEJ), duke u bërë i pari shqiptar që merr drejtimin e kësaj organizate prestigjioze.Vendimi unanim i ka dhënë atij drejtimin e kësaj shoqate, gjatë Asamblesë së 62-të të Shoqatës, e cila u zhvillua në Romë dhe mblodhi përfaqësues nga 20 vende të Europës. Zgjedhja e Arbërit shënon një moment të rëndësishëm për historinë e gazetarisë shqiptare, pasi për herë të parë një gazetar nga Shqipëria do të drejtojë një nga shoqatat më të vjetra të medias në Europë. I ftuar në studion e “Rreze Dielli” Hitaj shprehet i emocionuar dhe i nderuar njëkohësisht për këtë vlerësim. Shoqata e Gazetarëve Europian, e themeluar për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve dhe për të garantuar lirinë e shprehjes, ka një rol thelbësor në adresimin e sfidave me të cilat përballet media sot.