Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Fërgesë me speca dhe gjizë / Byreçka tigani me qepë të njoma dhe majdanoz / Gurabije të kuqe.
Kafshët shtëpiake kanë një vend të veçantë në jetën dhe zemrën e njerëzve. Ato janë të dobishme pasi ofrojnë mbështetje sociale dhe emocionale. Si fëmijë të vegjël që nuk rriten kurrë, ato duan të argëtohen dhe t’u japin dashuri pa kushte. Nënat janë kujdestare në sytë e tyre, ata duan kujdes, ushqim dhe të pastrohen. Pra janë si çdo pjesëtar tjetër i familjes. Është e rëndësishme që çdo kafshë që ju mbani në shtëpi t’i siguroni standardin më të lartë të kujdesit për të, duke filluar nga ushqimi, shëtitjet, mësimi i të sjellurit, kujdesi mjekësor dhe më kryesorja pastërtia - higjena për qimet e qenushëve është shumë e rëndësishme. Në studion e “Rreze Dielli” estetistja e kafshëve Ilva Kaloshi Leskaj tregon disa nga hapat bazë të kurimit të miqve tanë katërputroshë duke filluar nga larja tek krehja. Bisedës i bashkohet dhe regjisorja e njohur Elma Doresi, e cila ka një pasion dhe dashuri të veçantë për kafshët shtëpiake. Ndërsa psikologia Eriona Hoxha, rendit disa arsye përse është mirë që të mbajmë kafshë shtëpiake në familje dhe si ndikojnë ato në formimin e fëmijës.
Në skype nga Berlini, shqiptari i Maqedonisë Adrian Elmazi rrëfen historinë e tij të suksesit në fushën e gastronomisë. Takimi me aktoren italiane Monica Bellucci i ndryshoi tërësisht jetën, duke hapur restorantin e njohur me emrin “Bellucci”, në qendër të Berlinit, ku gatuhen specialitete italiane… Adrian Elmazi nëpërmjet një lidhje skype nga Berlini me studion e “Rreze Dielli”, rrëfen historinë e tij të emigrimit nga Maqedonia në Gjermani fillimisht për të ndjekur si çdo i ri ëndrrën për tu bërë aktor, ëndërr e cila nuk iu realizua, por që iu përmbush me një tjetër pasion të cilin e kuptoi pas një kalvari punësh në fillim si pjatalarës, më pas si menaxher restoranti. Gjatë edukimit të tij në fushën e hotelerisë përgjatë një tour-i në Europë, një takim me aktoren e famshme Monica Bellucci i ndryshoi jetën Adrianit. “Ajo më magjepsi aq shumë me personalitetin e saj të madh, sharmin dhe standardet e saj, saqë e dija që restorantin tim do ta emëroja me emrin e saj” shprehet ai. Fillon të punojë fort për njohjen e gastronomisë dhe sot drejton një nga restorantet më të njohur në Berlin, Restorant Bellucci. “Monica Bellucci më ka sjellë vërtet fat dhe shpresoj që një ditë ajo të vizitojë restorantin tim” kështu e mbyll intervistën Adriani nga restoranti i tij në Berlin.