Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 23 Qershor 2026 – Receta / Moti në verë, ditët më të nxehta/ Histori rrëqethëse: 4 herë betejë me kancerin

23 Qershor, 15:13 | Përditesimi: 23 Qershor, 15:13

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Qebap me mish, perime dhe erëza / Pica sufle me bukë tosti / Sallatë me fasule dhe vezë.

Shqipëria po përballet me një nga periudhat më të nxehta të viteve të fundit, ndërsa temperaturat e larta dhe valët e të nxehtit po ndikojnë ndjeshëm në jetën e përditshme të qytetarëve. Sipas ekspertëve të meteorologjisë, javët në vijim pritet të karakterizohen nga temperatura mbi mesataren sezonale, si pasojë e ndikimit të fenomenit klimatik El Niño. Ky fenomen, i cili po ndikon në shumë rajone të botës, pritet të sjellë jo vetëm rritje të temperaturave, por edhe nivele më të larta lagështie në vend. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, sa do të zgjasë kjo situatë dhe cilat janë parashikimet për ditët dhe javët në vazhdim? Për këtë flasim në “Rreze Dielli” me meteorologen Lajda Porja, e cila na tregon edhe hartën me qytetet që do të preken më shumë nga kjo valë e të nxehtit.

Në programin tonë është bashkuar sot një grua shumë e fortë, me një histori jete që është një shembull force, shprese dhe kurajoje. Një luftë që ka nisur në vitin 2021 dhe që sot, fatmirësisht, është një betejë e fituar. Blerina Kalthi, 38 vjeçe, nënë e dy fëmijëve adoleshentë, një grua që ka luftuar katër herë me kancerin, ka bërë transplant gjaku dhe ka dalë fituese. Para disa viteve Blerina humbi edhe vëllain nga kjo sëmundje, ndërsa sot po lufton edhe nëna me këtë betejë, ndërsa babai është në demencë. Por pavarësisht kësaj gjendjeje, Blerina është frymëzim për shumë gra të tjera që përballen me të njëjtën sfidë. Ajo ka sjellë një art të veçantë që nuk është shumë i njohur në Shqipëri. Quhet arti me pika, të cilën ajo e promovon në rrjetet e saj sociale. Po ashtu, Blerina ruan me fanatizëm punën me grep, të cilën e ka trashëguar që e vogël nga gjyshja. Ajo punon çdo ditë, e përveçse bën detyrën si nënë e bijë që kujdeset për prindërit, Blerina punon edhe në një qendër me fëmijë autikë.

MC/Shqiptarja.com