Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me miell misri, presh dhe djathë / Qofte me salcë të kuqe. Albana tregoi gjithashtu dhe një metodë të thjeshtë për zierjen e gështenjave. Ndërsa në një lidhje direkte nga Spanja, në kuadër të “Muaji i kuzhinës shqiptare në botë”, shef Genti Skëndaj tregon recetat shqiptare që po gatuhen në mes të Madridit, pikërisht në Ambasadën Shqiptare në Madrid. Skëndaj thotë se janë përzgjedhur 7 pjata tradicionale shqiptare nga gjeli me përshesh tek pispilija me presh e djathë apo dhe mishi me lakër sipas traditës veriore. Ndërsa nga ëmbëlsirat është përzgjedhur sultiashi tradicional i prekur me pak modernizëm. “Jemi në garë me shefat spanjollë, shpresojmë të nderohemi” thekson Genti, i cili tregon se pas Madridit vjen një tjetër kryeqytet europian për të prezantaur dhe promovuar me krenari recetat tona tradicionale.
Mpirja e duarve dhe këmbëve është një shqetësim i zakonshëm që shumë njerëz e përjetojnë, por që shpesh nënvlerësohet. Kjo ndjesi mund të sinjalizojë ndryshime të thjeshta në qarkullim ose nerva, por nganjëherë fsheh pas vetes edhe gjendje më të ndërlikuara shëndetësore. Në "Bima dhe Shëndeti", diskutojmë se çfarë qëndron pas mpirjes, cilët faktorë mund ta shkaktojnë dhe pse është e rëndësishme të merret seriozisht. Me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja trajtojmë shkaqet më të zakonshme që mund të çojnë në këtë simptomë, si dhe mënyrat se si mund të identifikohen. Po ashtu, do të ndalemi edhe te trajtimet alternative që përdoren për lehtësimin e mpirjes. Qëllimi është të kuptojmë më mirë këtë shenjë dhe rëndësinë e saj në shëndetin e përgjithshëm.





















