Zonja Albana solli tre receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kofsha pule me ullinj dhe salcë domate / Pure me patate e vezë / Kasata si dikur.
Në "Rreze Dielli" u diskutua sot tema e tregut të punës pas përfundimit të studimeve, shkaqet dhe pasojat që vijnë nga pakësimi i të rinjve në arsim, qasja e bizneseve për burimet njerëzore dhe masat që duhen marrë për të mbushur nevojat e tregut. Në studio ishin studentet e sapodiplomuara të Universitetit Mesdhetar, të cilat folën për arsyet pse i kanë zgjedhur drejtimet e caktuara universitare dhe mundësinë që ky universitet iu jep për të hyrë në tregun e punës. Adela Luka dhe Fatmira Malindi thanë se për të siguruar një vend pune pas studimeve, duhet orientuar me kohë vetja në drejtimet e caktuara, për të cilat ka nevojë tregu i punës në vend dhe më gjerë në rajon. Pedagogia e Universitetit Mesdhetar, Eriola Hoxha u shpreh se mundësitë që ky universitet ofron janë në përputhje me tregun e punës. "Arritja më e madhe e një pedagogu është kur studentin e bën më te mirë se vetja" - u shpreh ajo.
Problemet që shkakton gripi i syrit në shikim, shenjat që s'duhen neglizhuar dhe masat që duhen marrë ishte tema e sotme në "Rreze Dielli" me mjekun okulist, Rubin Topi. Po ashtu, mjeku u ndal edhe tek trendi i sotëm i vendosjes së qerpikëve fallco nga vajzat e gratë. Ai u shpreh se qerpikët fallco mund të sjellin infeksione të rënda në sy për shkak të përbërësve të dëmshëm që ngjitëset e tyre përmbajnë. Okulisti apeloi vajzat dhe gratë të zgjedhin profesionistët. Kujdes tjetër sipas okulistit duhet patur edhe nga përdorimi i lenteve në sy, që nga pakujdesia mund të dëmtojnë shikimin. Uji i pishinave gjithashtu shkakton probleme me sytë, ndaj menjëherë pas daljes nga uji duhet shpëlarë trupi.