Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 25 Nëntor 2025 – Receta/ Horoskopi/ Me çiftin viral shqiptaro-italian Emiliano & Silvana

25 Nëntor, 16:59 | Përditesimi: 25 Nëntor, 16:59

Zonja Albana solli një recetë të shpejtë dhe plot shije në “Rreze Dielli” si dhe një truk kuzhine. Receta e përzgjedhur për ditën e sotme ishte Tortë orizi me qumësht dhe vezë.

Mbyllja e nëntorit vjen me një energji të ngarkuar, intensive dhe shpesh sfiduese, ndërsa ende jemi nën ndikimin e thellë emocional të sezonit të Akrepit. Kjo periudhë sjell me vete një valë zbulimesh, përballjesh dhe transformimesh të cilat askush nuk do t’i shmangë lehtë. Sipas astrologes së njohur Liza Gjika, Hëna e Re e kësaj jave prek fort anën sentimentale, duke nxjerrë në sipërfaqe tensione të fshehura, dyshime dhe të vërteta që kanë kohë që presin të shpërthejnë. Akrepi, si shenjë mbizotëruese e fundit të muajit, sjell pasion të madh, por edhe tronditje të forta. Kjo javë premton kthesa të papritura, vendime drastike dhe emocione të thella për të 12 shenjat, një javë e fortë, e ngarkuar, por edhe çliruese. Por si do të ndikojnë konkretisht lëvizjet planetare në secilën shenjë, cilat do të preken më fort nga përplasjet sentimentale, dhe mbi të gjitha cilat shenja hyjnë në zonën e “rrezikut”, i zbulojmë në Rreze Dielli me astrologen dhe numerologen Liza Gjika.

Ata janë kudo bashkë dhe tashmë mjaft të njohur në rrjetet sociale. Udhëtojnë e promovojnë vendet shqiptare, ndërsa në blogun e tyre shumë të klikuar “Il mio viaggio in Albania – Udhëtimi im në Shqipëri” ndajnë pjatat tradicionale që mund t’i shijosh në çdo cep të Shqipërisë sonë të bukur. Përveç kulinarisë, sporti është një tjetër pasion që i bashkon, duke i bërë shpesh pjesë e sfidave dhe aktiviteteve sportive që i ndajnë me ndjekësit e tyre. Emiliano, një italian nga Roma, dhe Silvana, një shkodrane plot energji, janë partnerë në jetë dhe në biznes. Ata kanë vendosur që copëza nga përditshmëria e tyre të jenë pjesë e blogut, duke u kthyer shpesh në udhërrëfyes për këdo që dëshiron të eksplorojë vendin. Një çift simpatik që nuk harron të na dhurojë edhe të qeshura. Por si ka nisur historia e tyre e dashurisë, si lindi ideja e blogut dhe si është jeta e tyre në Tiranë? Këtë na e rrëfejnë vetë ata në studion e Rreze Dielli.

MC/Shqiptarja.com