Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 26 Maj 2023 – Receta / Shqipëria në Lojërat Olimpike Speciale / Jon Tarifa prezanton videoklipin e ri

26 Maj 2023, 15:45

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tortelini me djathë dhe piper të zi / Byreçka krokante pa okllai / Lazanjë me patëllxhanë me sallam si qëmoti.

Shqipëria merr pjesë për herë të parë në ‘Lojërat Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023’. 10 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale përfaqësojnë vendin tonë në 4 disiplina… Special Olympics Albania në kuadër të aktiviteteve të saj ka evidentuar dhe inkurajuar talentin e personave me aftësi të kufizuara intelektuale në Shqipëri. Duke ndërtuar në punën e palodhur të atletëve tanë, trajnerëve të tyre, Shkollave Speciale dhe ato gjithëpërfshirëse, familjes dhe komunitetit, guximin për të sfiduar diskriminimin pabarazinë e vetveten, Special Olympics Albania i jep mundësinë 10 atletëve me aftësi të kufizuara intelektuale të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023. Me ketë projekt dhe delegacion ambicioz prej 20 personash do të çelet një dritare për të gjithë komunitetin e personave me aftësi të kufizuara intelektuale dhe mbështetësit e tyre duke treguar kurajë, talent dhe vendosmëri për të thyer barrierat përmes sportit. Në studion e “Rreze Dielli” vetëm pak ditë nga nisja e aktivitetit në Berlin, diskutojmë me Roland Hysi, Drejtor Kombëtar- Special Olympics Albania, Gersi Troka, notar pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Speciale dhe mamaja e tij Merita Troka.

Artisti shqiptar Jon Tarifa, në një rrëfim për jetën e tij në Bali, familjen dhe karrierën muzikore. ‘Rat Race’ është videoklipi i ri, të cilin Joni e prezanton sot në studion e Rreze Dielli… Djaloshi nga Tirana i cili profesion të vërtetë ka marketingun, jeton prej disa vitesh në Bali të Indonezisë. Ai është djali i dytë i Fatos Tarifës, ish-ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas në Holandë. Pasioni më i madh i rinisë së Jonit ishte të bëhej futbollist, por një incident e shkëputi nga fusha e blertë, ia ndali ëndrrën të cilën mesa duket e gjeti tek muzika. Që nga viti 2000, Jon Tarifa filloi të merret me muzikë, me këngën “Focus” ai ka qëndruar në krye të klasifikimit në radiot Holandeze. “Rat Race” është videoklipi që këngëtari shqiptar sapo e ka nxjerrë në tregun muzikor dhe pritet të jetë po aq i suksesshëm sa dhe projektet e mëparshme muzikore. Në një rrëfim për jetën, Joni tregon arsyet e shpërnguljes së tij në Indonezi së bashku me familjen e tij, bashkëshorten dhe vajzën duke u larguar për një periudhë kohore nga Evropa për të shijuar jetesën në Bali.