Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Supë me hithra dhe qumësht / Kek me portokall dhe çokollatë. E ftuar në këndin e kuzhinës amvisa Mirela Boci Balla, përgatiti Byrekun e Librazhdit me arra me petë të hapura vetë.
Rreziku që na vjen nga teknologjia. Mjeku okulist Rubin Topi paralajmëron se brenda vitit 2050 gjysma e popullsisë së botës do të jetë me syze … Teknologjia është bërë një pjesë shumë e rëndësishme dhe e pandarë e jetës tonë. Është e vërtetë që nga njëra anë përdorimi i teknologjisë moderne është mjaft i dobishëm për zhvillimin e shkencës në dobi të njerëzimit si dhe për karrierën profesionale. Por nga ana tjetër ekspozimi i tepruar ndaj këtyre pajisjeve po bën të mundur që shumë njerëz, duke filluar që nga moshat e hershme, të përballen me probleme serioze të shikimit.Vitet e fundit janë shtuar së tepërmi sëmundjet e syrit nga përdorimi i tepruar i mjeteve elektronike si dhe po vihen re çdo ditë e më shumë problemet e shikimit të fëmijëve të cilat vijojnë të rriten ndjeshëm. Mjeku Rubin Topi ngre alarmin në studion e “Rreze Dielli” dhe paralajmëron se brenda disa viteve gjysma e popullsisë së botës do jetë me syze …Ai shprehet shumë i shqetësuar për dëmet që po shkaktojnë celularët tek sytë e fëmijëve. Fëmijët në ditët e sotme janë duke qëndruar aq shumë me mjetet elektonike në duart e tyre, dhe për këtë sytë e tyre janë më shumë të rrezikuar për dëmtim sesa çdo gjë tjetër.
Bujar Muçaj, rrobaqepësi nga Kuçova që ka 44 vite që qep rroba për gra dhe burra. Si lindi pasioni për makinën qepëse dhe puna që bën sot së bashku me të shoqen… Sot është 64 vjeç por çdo ditë atë e gjen në rrobaqepësinë e tij ku i kalon jo më pak se 8 orë në ditë duke punuar në zanatin si rrobaqepës, të cilin e ka nisur që në moshën 12 vjeçare, në qytetin e Kuçovës ku eksperimentonte si fëmijë. Më pas nisi punë si rrobaqepës në ndërmarrjen shtetërore të qytetit, periudhë të cilën e kujton me shumë nostalgji ku punonin vetëm 6 burra e 6 gra në harmoni të plotë. Sot Bujari është një rrobaqepës profesionist, ka atelienë e tij modeste ku qep veshje nga më të ndryshmet si për burra ashtu dhe për gra. Ndonëse ka mbi 44 vjet që e ushtron këtë zanat ai shprehet se çdo ditë mëson gjëra të reja nga ky profesion, të cilin e zhvillon me shumë dëshirë e pasion së bashku me të shoqen.