Zonja Albana solli një recetë të shpejtë dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Receta e përzgjedhur për ditën e sotme ishte: Patate me salcë qumështi dhe kaçkavall në furrë. Ndërsa i ftuar në këndin e gatimit ishte aktori i njohur Genti Kame, i cili përgatiti një nga pjatat e tij të preferuara: Pasta me domate, verë dhe karkaleca.
Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot komuniteti urban në Tirana janë hapësirat e përbashkëta. Kryeqyteti, më shumë se çdo qytet tjetër në vend, e ndien peshën e mbipopullimit dhe mungesës së infrastrukturës së mjaftueshme për të përballuar fluksin e automjeteve dhe rritjen e vazhdueshme të ndërtimeve. Si pasojë, ajo që duhet të ishte një hapësirë në shërbim të komunitetit, është kthyer shpesh në burim konfliktesh dhe përplasjesh mes fqinjësh. Mungesa e vendeve të parkimit ka sjellë një fenomen shqetësues: debate të ashpra që në jo pak raste kanë degraduar deri në ngjarje tragjike. Një vend parkimi është kthyer në shkak grindjesh, tensioni dhe armiqësish mes banorëve që ndajnë të njëjtën lagje apo të njëjtin pallat. Me kamerën tonë kemi ndjekur nga afër situatën në disa prej zonave më problematike të kryeqytetit. Në Astir, çdo rrugë është e zënë në të dyja krahët, automjetet parkohen mbi trotuare dhe mbi vijat e bardha, duke e kthyer lëvizjen e këmbësorëve në sfidë të përditshme. E njëjta panoramë përsëritet edhe në zonën e Laprakës dhe në lagjet pranë 21 Dhjetori, ku hapësirat publike janë “privatizuar” me shishe plastike, bidona apo struktura hekuri të improvizuara për të rezervuar vende parkimi. Zëri i komunitetit shpesh mbetet i padëgjuar, ndërsa lagjet po shndërrohen në territore të ndara simbolikisht me pengesa të vendosura nga vetë banorët. Por a ka një zgjidhje për këtë situatë? A mund të rikthehet bashkëjetesa dhe respekti për hapësirën e përbashkët? Për të diskutuar mbi këtë problematikë, por dhe mbi bashkëjetesën në pallat, pastërtinë, funksionimin e ashensorit, pagesat dhe mirëmbajtjen, si edhe rolin e administratorëve në menaxhimin e konflikteve dhe organizimin e komunitetit, flasim në "Rreze Dielli" me Isidor Koti, administrator pallati.
Zona poshtë syve është një nga pjesët më delikate të fytyrës. Lëkura aty është më e hollë dhe më e ndjeshme, prandaj shenjat e lodhjes, rrathët e zinj dhe thatësia shfaqen më shpejt. Për fat të mirë, nuk është gjithmonë e nevojshme të përdorni produkte të shtrenjta kozmetike. Maska natyrale të përgatitura në shtëpi mund të jenë një zgjidhje e thjeshtë, efektive dhe e sigurt për të freskuar, hidratuar dhe ndriçuar zonën poshtë syve. Kujdesi i rregullt dhe hidratimi i vazhdueshëm janë çelësi për një pamje më të çlodhur dhe më të shëndetshme. Niki dhe Stela në “Bëje vetë” tregojnë disa ide të thjeshta maskash natyrale që mund t’i përfshini lehtësisht në rutinën tuaj të bukurisë.





















