Zonja Albana solli tre sugjerime recetash tradite në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Speca furre me gjizë / Trahana me cingaridhe / Petulla me sheqer.
Nga Italia me Mentie Ruci, vajza nga Peshkopia me stilin unik të qëndisjes në gjethe duke gërshetuar natyrën me perin në punime vërtetë mahnitëse…Mentie Ruci, tregon se pasionin për qëndisjen e ka të trashëguar nga familja e saj, e cila vazhdon akoma të bëjë punime me penj si triko e çorape. Ajo thotë se ka patur gjithmonë një lidhje të veçantë me gjethet dhe natyrën në përgjithësi. 'Qëndisja në gjethe ka nisur rastësisht në fillim duke shkruajtur fjalë motivuese, rezultati më pëlqeu aq shumë sa nuk ndalova më, kështu bëra së bashku artin dhe natyrën' shprehet ajo. Prej kohësh punët e Menties të postuara në rrjete sociale kanë marrë shumë popullaritet, për shkak të stilit unik të gërshetimit të natyrës me perin.
E ftuar në studion e Rreze Dielli ishte shkrimtarja Mimoza Erebara, e cila prezantoi një kolanë me poezi të autorëve më të njohur të letërsisë tradicionale, ata që e revolucionarizuan poezinë hebraike dhe poetët bashkëkohorë. "Shalli i Lotëve", sipas Erebarës është një vëllim interesant që sjell në shqip një poezi pak të njohur me autorë modernë të letërsisë hebraike. E apasionuar pas poezisë, kryesisht asaj të angazhuar, Erebara ndau në studio edhe pasionin për gazetarinë dhe kritikën letrare. Krijimtaria e saj letrare tashmë është e përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe është përfshirë në disa antologji dhe botime. Moza Erebara tregoi se ka marrë pjesë në mjaft konkurse dhe aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 2015 është nderuar me Medaljen e Artë Ndërkombëtare për Poezinë “Or internationale pour la poesie” nga Akademia Europiane e Artit, si dhe mban titullin Ambasadore e Paqes.