Zonja Albana solli sugjerimet e saj të recetave plot shije në “Rreze Dielli”. Receta e përzgjedhur për ditën e sotme ishte: Pashaqofte në supë perimesh. E ftuar në këndin e kuzhinës një nga ndjekëset më të rregullta të emisionit “Rreze Dielli”. Shumë nga amvisat e kanë dëgjuar zërin e saj teksa është e para që telefonon përgjatë rubrikës së gatimit. “Amon mi amon…” është shprehja që dallon amvisën tironse Suzana Kurti Mansaku, e cila përgatiti sot në kuzhinën e Rreze Dielli recetën tradicionale të Shqipërisë së mesme, Tavë dheu me mëlçi si dhe Byreçka të shpejta me gjizë.
Flasim në studion e ‘Rreze Dielli’ për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ngjarja që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar. Prej gati 1 jave, Gjirokastra është kthyer në kryeqytetin e kulturës shqiptare teksa ka nisur Festivali Folklorik Kombëtar. Aktivitetet në ditën e gjashtë të këtij edicioni na i përcjell gazetari Bledi Strakosha dhe në një lidhje live nga Gjirokastra Edit Pula dhe Gentiana Ramadani. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Parada e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve shpalosen në paradën në qytetin e gurtë. Qëllimi kryesor i këtij festivali është pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij. Gjithashtu ky festival ka si qëllim të mbrojë, të promovojë dhe të popullarizojë në publikun e gjerë vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh.
Në skype nga Italia me psikoterapistin Elton Kazanxhi, flasim për hipnozën si terapi për probleme të ndryshme shëndetësore. Si ta përdorim hipnozën për problemet e ankthit dhe stresit? Të gjithë e kanë dëgjuar hipnozën si fjalë, por janë të paktë ata që e dinë kuptimin dhe përdorimin si terapi në shëndetësi. Fjala hipnozë vjen nga greqishtja e vjetër ‘Hypnos’, që ka kuptimin fjetje- gjendje gjumi. Hipnoza është një gjendje e veçantë në të cilën vëmendja dhe shkalla e përqendrimit si dhe e sugjestionimit është shumë e lartë. Hipnoza e ka zanafillën para mijëra vjetësh dhe është përdorur që në kohët e hershme nga njerëzit në Egjiptin e vjetër. Përdorimi i hipnozës në mjekësi nisi me mjekun austriak Franc Antuan Mesmer, në shekullin e XVI. Kjo metodë fitoi një famë të madhe duke i mjekuar njerëzit me një mënyrë te panjohur më parë. Gjithashtu Frojdi e përdori hipnozën për t’i kthyer pacientët në të kaluarën si dhe për kurimin e shqetësimeve të ndryshme psikologjike. Në ditët e sotme hipnoza ka fituar popullaritet dhe njihet me ligj si një mënyrë mjekësore dhe shkencore për trajtimin e sëmundjeve te ndryshme.