Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Gjellë me kungulleshka dhe domate / Speca të mbushur me djathë / Qofte me domate dhe erëza.
“Kur gjyshja na mësonte të zbukuroheshim natyrshëm”, Rajna Kovaçi zbulon dorëshkrimet e bukurisë së gjyshes bullgare! Rajna Kovaçi sjell në studion e Rreze Dielli një thesar të vërtetë – librin e vjetër të gjyshes së saj, të shkruar me dorë, me receta kuzhine, këshilla dhe maska natyrale për fytyrën dhe flokët, të cilat përdoreshin në Bullgari, në kohën e rinisë së saj. Janë dhjetëra truke të bukurisë dhe sekrete të ruajtura me fanatizëm ndër breza, që Rajna, tashmë nënë dhe gjyshe, i ruan si një trashëgimi e çmuar.
Në zemër të qytetit të gurtë, aty ku historia nuk shkruhet vetëm në libra, por qendiset me ngjyra dhe pasion mbi qilima e veshje tradicionale, zhvillohet një aktivitet i veçantë “Qilim Fest”. Një festë ku ngjyrat e trashëgimisë gjallërojnë rrugicat e UNESCO-s dhe mjeshtëria e artizaneve vjen si një kujtesë e fortë se kjo kulturë nuk duhet të humbasë, por të përcillet me dashuri te brezat e rinj. Për të mësuar më shumë sesi u prit ky aktivitet dhe nga turistët e huaj flasim me Alesia Llapaj, Përgjegjese në Agjencinë për Aktivitete dhe Turizëm në Bashkinë e Gjirokastrës. Në këtë festival morrën pjesë artizanë nga të gjitha zonat e Gjirokastrës, duke sjellë diversitetin dhe pasurinë e një trashëgimie shekullore. Mes këtyre zërave të qetë, por të fuqishëm të traditës, spikat një emër: Eli Zhulati. Prej më shumë se 20 vitesh, Eli është një nga gratë e rralla që ruan me fanatizëm dhe përkushtim traditën e kostumeve popullore shqiptare. Për studion e Rreze Dielli, artizania Eli Zhulati tregon vështirësitë e punës krijuese, por dhe kënaqësinë që ky pasion dhe profesion i dhuron.





















