Zonja Albana solli katër sugjerime recetash festive në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Gjel deti i mbushur / Antipastë me byreçka sfoliat / Sallatë e ftohtë / Recetë e ëmbël festive.
Në mënyrë që festat e fundvitit të jenë momente gëzimi pranë familjes, nuk mjaftojnë vetëm gatimet e shijshme, por një rol të rëndësishëm ka edhe dekorimi i tavolinës. Në studion e “Rreze Dielli”, Xheni Lulaj na tregon trendet e ngjyrave që mbizotërojnë këtë vit, disa këshilla praktike mbi dekorimin e pecetave, aksesorëve dhe vendosjen e duhur në tryezën festive.
Festojmë Vitin e Ri në studion e "Rreze Dielli" me miq të mirë, tashmë është bërë traditë që në programin e fundvitit personazhe nga fusha të ndryshme ndajnë përjetime dhe emocionet e mbylljes së një viti dhe nisjes së një viti të ri. Në tryezën tonë festive kishim të ftuar politikanët Nard Ndoka dhe Lajla Përnaska, artistin dhe përkthyesin Xhimi Lazri, psikiatren Arjana Rreli dhe stilisten Katerina Zoto. Këngëtarja korçare Lazarela Deti dhe banda e saj sollën një atmosferë festive me këngë të njohura, ndërsa të ftuarit e shoqëruan me kërcime dhe valle. Kartolinat e mbërritura në studio sollën shumë emocione tek të ftuarit, të cilët ndanë me publikun momentet e veçanta dhe përjetimet nga njerëzit e tyre të zemrës. Emocione, lot, por dhe humor përmes pyetjeve pikante për të ftuarit... Qershia mbi tortë ishte zbulimi i shtatzanisë së stilistes Katerina Zoto, e cila zbuloi edhe gjininë e bebit mes miqve në studio.