Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kek me portokall / Patëllxhanë me hudhra / Supë me lëng kockash dhe perime.
Shqipëria me rreth 4300 hektarë pemtore me mollë dhe një prodhim rreth 115,000 ton, këtë vit për arsye të kushteve atmosferike, mungesës së investimeve që mitigojnë riskun klimaterik, ka prodhuar jo më shumë se 50% të sasisë së përvitshme. Sot po importojmë mollë edhe nga Serbia me çmim 95 lek/kg, ndërkohë që çdo vit importohet rreth 10,000 ton mollë nga Italia. Çfarë duhet bërë për këtë situatë, është faji i fermerëve apo i politikave bujqësore? Flasim në studion e “Rreze Dielli” me ekspertin e agrobiznesit Ilir Pilku. Ndër të tjetra, eksperti tha se molla fuji është më e kërkuara në tregun vendas dhe të huaj, por ky varietet është mbjellë në sasi të pakët, pasi tregun e mbizotëron molla star kinge. Ndaj fermerët duhet të orientohen me politika më të qarta për llojet e fidanëve që mbjellin e po ashtu në mbrojtjen e pemëtarisë me anë të rrjetave mbrojtëse kundër diellit dhe breshërit.
Stelina Brakaj është një vajzë nga Vlora që siç thotë ajo, Zoti i ka marrë këmbët, por i ka dhënë zërin. 24 vjeçarja edhe pse ka lindur me aftësi të kufizuara, asgjë nuk e ka ndaluar që të ketë një jetë të mrekullueshme plot aventura dhe të ndjekë pasionin për këngën duke ecur me moton “Çdo gjë ndodh për një arsye dhe Zoti të merr diçka për të të dhënë diçka më të mirë”. Fatkeqësisht asaj i ka marrë këmbët, por i ka dhënë dhuratë zërin dhe zemrën e pastër. I pëlqen të këndojë dhe është e dashuruar me qiellin, perëndimin e diellit si dhe me të qeshurën, shumë rrallë mund t’a shohësh me nerva ose të mërzitur. Stelina ka mbaruar Bachelorin për Shkenca Kompjuterike në Vlorë dhe aspiron pse jo për një punë ku të ndihet mirë. Në studion e “Rreze Dielli” ndër të tjera Stela tregon se është shumë e lidhur me familjen dhe veçanërisht me mamin që e ka si shoqe, ndërsa i pëlqen bota e televizionit dhe spektaklit.