Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 5 Maj 2026 – Receta/ Shefi shqiptar i kuzhinës me ‘nam’ në Itali/ Pensionisti fermer

5 Maj, 15:25 | Përditesimi: 5 Maj, 15:25

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kek me kos dhe vaj / Qofte me mish dhe oriz në krem qumështi / Fërgesë me vezë.

Në këtë pjesë të programit udhëtojmë virtualisht drejt Italisë, një vend i njohur për traditën e tij të pasur në art, kulturë dhe mbi të gjitha në gastronomi. Mes shumë shqiptarëve që kanë arritur të na bëjnë krenarë në skenën ndërkombëtare, sot ndalemi te një emër i veçantë në botën e kulinarisë: shefi i kuzhinës Altin Gjoni. Historia e tij nis në vitin 1997, një periudhë e vështirë për Shqipërinë, kur vendosi të largohej për të ndërtuar një të ardhme të re. Si ishin fillimet e tij në një vend të huaj? Si lindi pasioni dhe rrugëtimi i tij në artin e kulinarisë? Dhe cilat janë momentet kyçe që shënuan suksesin e tij në një nga skenat më sfiduese të gastronomisë botërore? Italia njihet për standardet e larta dhe përkushtimin e madh ndaj ushqimit, një botë ku nuk është aspak e lehtë të arrish majat. Megjithatë, Altini ka ditur të fitojë vlerësim në nivelet më të larta, duke gatuar për figura të rëndësishme të politikës, artit dhe kulturës. Mes tyre, edhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila – siç tregon ai me humor – madje “i ka vjedhur” edhe disa receta. Një rrëfim frymëzues për përkushtimin, talentin dhe suksesin përtej kufijve.

Shumë pranë Tiranës, na pret një pamje fantastike që të çon drejt natyrës së pastër, një vend ku njeriu çlodh jo vetëm sytë, por edhe mendjen e shpirtin. Larg zhurmës, trafikut dhe ritmit të vrullshëm të jetës urbane, ku shpesh dominojnë ushqimet industriale dhe rutina e pashëndetshme, këtu gjithçka merr një tjetër kuptim. Në Sauk, Rakip Xhebrahimi ka kthyer shtëpinë e tij në një kopsht të vërtetë jetese, ku natyra dhe puna e ndershme bashkohen në harmoni. Fruta e perime të freskëta, zogj, bagëti, qumësht e djath i sapo prodhuar – gjithçka buron nga përkushtimi i tij i përditshëm. Pas 45 vitesh në shërbim të qytetit të Tiranës, sot në pension, ai ka zgjedhur të mos ndalet, por t’i rikthehet tokës së të parëve. Së bashku me kamerën e “Rreze Dielli”, vizitojmë kopshtin e Rakipit, i cili na zbulon mënyrën se si kujdeset për kafshët dhe sekretet që i mbajnë ato të shëndetshme, duke prodhuar mish dhe qumësht cilësor. Oborri i shtëpisë së tij ka gjithçka dhe mbi të gjitha, ka dashurinë dhe përkushtimin e një njeriu që jeton në harmoni me natyrën.

MC/Shqiptarja.com