Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 8 Shtator 2026, Receta/ Deborah Keçi, vajza e hekurt/ Horoskopi për muajin Shtator

8 Shtator, 16:12 | Përditesimi: 8 Shtator, 16:12

Zonja Mirela solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Lakror me qepë dhe domate / Sardele me domate në furrë / Papare, receta e vjetër e traditës.

Deborah Keçi vjen në një rrëfim ndryshe, përtej figurës publike dhe përtej asaj që publiku njeh prej saj. E vetmja shqiptare që merr pjesë në garat prestigjioze dhe tepër të vështira "Ironman", ajo rrëfen eksperiencën e jashtëzakonshme dhe sfiduese të një prej garave më të vështira të qëndrueshmërisë fizike në botë duke prekur 3 displinat: not, ciklizëm dhe vrap për 11 orë pa pushim. Gjashtë muaj stërvitje intensive, sakrifica, disiplinë dhe përballje me limitet e trupit dhe mendjes. Por Deborah nuk sfidon veten vetëm në sport. Pasioni për udhëtimet e ka çuar në vende dhe eksperienca që kanë ndryshuar mënyrën e saj të të menduarit. Nga ngjitja në Kilimanjaro, deri te jeta dhe eksperiencat e saj në Afrikë, ajo zbuloi një të vërtetë të thjeshtë, por të fuqishme: se bollëku dhe pasuria materiale nuk na bëjnë domosdoshmërisht më të lumtur. Në këtë intervistë në “Rreze Dielli” Deborah ndalet edhe te vështirësitë personale dhe momentet e jetës që e kanë vënë përballë sfidave të mëdha. Sporti, sipas saj, nuk ka qenë vetëm një mënyrë jetese, por një forcë që e ka ndihmuar të përballojë periudhat më të vështira, të gjejë ekuilibër dhe të rizbulojë fuqinë brenda vetes.

Shtatori sjell ndryshime të rëndësishme astrologjike, me ndikime që prekin jo vetëm marrëdhëniet, financat dhe karrierën, por edhe mënyrën se si përballemi me veten dhe me situatat që na rrethojnë. Rikthimi i Chironit në Dash, Hëna e Re më 11 shtator dhe kalimi i Diellit më 23 shtator janë disa prej zhvillimeve që, sipas astrologes Denisa Shyle, do të ndikojnë në këtë periudhë. Por çfarë pritet për secilën shenjë të zodiakut? Cilat janë ditët më të rëndësishme dhe ku duhet të tregojmë më shumë kujdes? Astrologia Denisa Shyle tregon në “Rreze Dielli” se ç’pritet të ndodhë përgjatë muajit Shtator.

MC/Shqiptarja.com