Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 8 Tetor 2025 – Receta/ Mit apo fakt/ Shëndeti i zorrëve/ Lakra, ilaçi biologjik

8 Tetor, 16:27 | Përditesimi: 8 Tetor, 16:27

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me patëllxhanë, qepë dhe domate / Speca me kos dhe gjizë / Supë me perime të stinës.

Me nutricionistin dhe ekspertin e mjekësisë holistike Altin Joka ndalemi çdo të mërkurë tek ajo që shpesh na ngatërron më shumë se vetë dieta: mitet mbi shëndetin dhe ushqimet. E vërtetë apo mit? Këtë javë kemi përzgjedhur 2 mite që dëgjojmë shpesh, por që jo gjithmonë qëndrojnë shkencërisht: Të konsumosh fruta pas vaktit të bën keq? / Ushqimi pas orës 20:00 prish metabolizmin dhe na shëndosh?

Zorra, shpesh e nënvlerësuar në krahasim me organet e tjera të trupit, është një nga sistemet më komplekse dhe më të rëndësishme për shëndetin tonë të përgjithshëm. Ajo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në sistemin imunitar, përthithjen e lëndëve ushqyese dhe shëndetit mendor, por shpesh e neglizhuar derisa nis të dërgojë sinjale shqetësuese. Fryrja e barkut, problemet me tretjen, lodhja e pashpjegueshme apo edhe luhatjet emocionale mund të jenë shenja të një zorre jo të shëndetshme. Por çfarë do të thotë “zorrë e sëmurë”? Pse ndodh kjo dhe si ndikon në mirëqenien tonë? Pikërisht mbi këtë temë kaq të rëndësishme flasim në "Rreze Dielli" me nutricionistin dhe ekspertin holistik Altin Joka. Shqyrtojmë shkaqet kryesore që dëmtojnë zorrën, nga ushqimi i përpunuar, stresi, tek mënyra si hamë, si dhe pasojat që mund të shfaqen jo vetëm në sistemin tretës, por edhe në shëndetin emocional. Do të flasim gjithashtu për lidhjen e fuqishme mes zorrës dhe trurit, rolin e probiotikëve dhe ushqimeve të fermentuara, dhe do të ofrojmë disa mënyra të thjeshta dhe natyrale për të mbajtur zorrën të shëndetshme.

Një studim i fundit për lakrën ka dalë në konkluzionin se ky perim është një ilaç biologjik! Në fakt dikur gjyshet tona e shtypnin dhe e lidhnin mbi gjunjë të enjtur ose mbi shpinën e lodhur, dhe menjëhërë ajo sillte efektin e saj shërues, por shkenca thotë se lakra fsheh brenda vetes një mekanizëm biologjik të sofistikuar që konkurron edhe terapitë moderne. Shkencëtarët sapo kanë zbuluar se lakra nuk është thjesht një grumbull vitaminash dhe antioksidantësh, ajo përmban mikroRNA bimore që janë molekula të vogla gjenetike si mesazhe të koduara. Pikërisht për vlerat dhe benefitet që marrim nga përdorimi i lakrës, ndalemi në “Rreze Dielli” me nutricionistin dhe ekspertin e mjekësisë holistike Altin Joka.

MC/Shqiptarja.com