Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 9 Korrik 2024 – Receta/ Hidratohemi me çajra të ftohtë shtëpie/ Komunikimi me adoleshentët

9 Korrik, 14:45 | Përditesimi i fundit: 2024-07-09 14:47:25

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me patëllxhanë / Sallatë e freskët verore me shalqi / Embëlsirë me bukë tosti, e shijshme dhe pa shpenzime.

Të pish sa më shumë ujë gjatë ditës do të thotë të ndjekësh dietën më të mirë për të qenë gjithmonë në formë, energjik e me lëkurë të hidratuar. Në sezonin e nxehtë të verës, uji bëhet gjithmonë e më tepër jetik në aktivitetet tona ditore, por edhe pse jemi në dijeni të të mirave që ai sjell, shpesh kemi probleme me hidratimin. Për të "trukuar" trurin në mënyrë që të konsumojmë sa më shumë ujë, na duhet pak më shumë se sa vullnet. Por fatmirësisht ka disa mënyra mjaft të thjeshta dhe efikase që jo vetëm të bëjnë të konsumosh më shumë ujë, por edhe do t’i shtojnë më shumë shije dhe vlera ushqyese. Në studion e “Rreze Dielli” Dhurata Thanasi përgatit tre receta freskuese për çaj të ftohtë që përmbajnë çaj mali shqiptar, çaj sherebele dhe çaj bliri, secila e përzier me fruta të stinës, agrume dhe bimë aromatike.

Në ditët e sotme komunikimi me fëmijët adoleshentë po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Për shkak të angazhimeve dhe punëve, prindërit shpesh herë neglizhojnë komunikimin e drejtpërdrejtë me fëmijët e tyre. Për të folur për këtë tematikë në studion e “Rreze Dielli” ishte Donika Gunther, Mentore jete /Mësuese shkencash, e cila iu përgjigj pyetjeve që lidhen me identitetin e adoleshentëve, pse është e rëndësishme që ata të jenë vetvetja dhe të gjejnë identitetin e tyre dhe cilët janë fakorët pozitivë dhe negativë që ndikojnë në identitetin e fëmijëve. Nga ana tjetër, Gunther tregoi disa mënyra lehtësuese për prindërit në komunikimin me fëmijët adoleshentë.