Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pite të mbushura me djathë dhe proshutë / Mish viçi me bizele / Waffle, ëmbëlsira e famshme belge.
Agronomi Spahi Jahja na zbulon një mënyrë të thjeshtë të ruajtjes së freskët të agrumeve, duke i mbështjellë ato me letër alumini. Falë kësaj metode, agrumet nuk thahen as prishen por qëndrojnë si ditën e parë të këputjes nga pema. Ai thotë se agrumet e shtëpisë i ka mbështjellë që në muajin tetor dhe rezulati është si ditën e parë.
Shtatorja e Skënderbeut së shpejti në një nga qytetet e mëdha të Zvicrës. Skulptori Gëzim Muriqi nga Kosova i dha jetë veprës së njohur, e cila pason edhe punime të tjera të njohura të vendosura në sheshet publike të qyteteve mbarë shqiptare. Sipas skulptorit, kjo vepër gjigande e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka qenë kërkesa e një kosovari i cili jeton prej vitesh në Zvicër dhe e donte këtë skulpturë si shenjë falenderimi për shtetin zvicerian për mikëpritjen që i ka bërë shqiptarëve ndër vite.
Raporti i plakjes së popullsisë: statistikat e fundit rendisin Shqipërinë në vendin e pestë, çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare dhe cilat janë arsyet sociale të plakjes? Flasim në studio me sociologun Gëzim Tushi dhe paralelisht në dy skype: Brunilda Zenelaga, sociologe migrimi dhe Andi Balla, gazetar /studies emigracioni, i cili aktualisht po bën një studim për fenomenin. Sipas një studimi të fundit, në Shqipëri, është vërejtur një plakje me ritme të shpejta e popullsisë. Shifrat evidentojnë se rritja e numrit të të moshuarve po ndodh njëkohësisht me emigrimin e familjeve të reja dhe normat e ulëta të lindshmërisë së popullatës në vend, gjë që ka shkaktuar anomalinë me plakjen e popullsisë. Shqipëria është vendi me plakjen më të shpejtë të popullsisë në rajon dhe një ndër vendet me plakjen më të shpejtë në Europë. Nëse institucionet shtetërore nuk reagojnë me politika nxitëse, deri në vitin 2050 mosha mesatare e popullatës në Shqipëri mund të shkojë deri në 50 vjeç, me një rritje popullsie – 0.88 %. Shifrat flasin për pasoja sociale ekonomike për të ardhmen, gjë që pohohet dhe nga studiuesit, të cilët bëjnë apel për të ndërhyrë në kohë me mekanizmat përkatës.