‘Ftesa' stop bullizmit! Për fëmijët, prindërit e mësuesit, një ftesë që nuk duhet humbur

9 Tetor, 12:45

Bullizmi është kthyer në një fenomen tepër të hapur, që ka prekur pothuajse të gjitha shoqëritë, jo vetëm në Shqipëri. Por çfarë po ndodh kryesisht me fëmijët dhe adoleshentët, si mund ta luftojmë këtë fenomen? Flasim në studion e “Rreze Dielli” me Eglantina Tuka, Regjisore dhe skenariste e cila sapo ka përfunduar realizimin e filmit “Ftesa”, i cili prek fenomenin e bullizmit në shkollë, ku marrin pjesë vetë fëmijët. Bisedës në studio i bashkohen dhe dy nga fëmijët protagonistë në film, Jornis Ballcaj dhe Viktoria Cirogu, të cilët tregojnë nëse janë ndeshur me bullizmin dhe në jetën e tyre reale në shkollë.

 “Ftesa” është një film që ndjek historinë e Alexit, një djalë i ri dhe shembullor që përballet me sfidat e bullizmit në shkollën e re. Me mbështetje të pakushtëzuar nga familja, Alex gjen forcën për të përballuar çdo pengesë. Si do të arrijë ai të ndryshojë mendimin e shokëve të tij dhe të krijojë një atmosferë të re në klasë? Si një akt i thjeshtë mund të sjellë një ndryshim të madh.