Gatime nga zonja Albana, Byrek me fasule me petë të gatshme/ Embëlsirë e thjeshtë

22 Tetor 2021, 10:10 | Përditesimi i fundit: 2021-10-22 10:11:04

BYREK ME FASULE

1 pako petë të gatshme

500 gr fasule

Kripë, rigon

Piper i zi

Piper i kuq

Vaj ulliri

Pak qumësht për zbutjen e petëve

Fillimisht vendosim fasulet të ziejnë (jo plotësisht). Pasi të jenë zier hedhim vaj ulliri, kripë, piper të zi, piper të kuq dhe rigon. Sipas dëshirës mund të shtojmë dhe pak spec djegës dhe nenexhik.

Vendosim gjysmat e petëve në tavë duke i spërkatur mirë me pak vaj dhe qumësht. Hedhim mbushjen me fasule dhe më pas vendosim pjesën tjetër të petëve duke i spërkatur me yndyrë.

Rregullojmë anët e petëve dhe e vendosim byrekun në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë për 35-40 minuta.

EMBELSIRE E SHPEJTE ME BISKOTA DHE KREM KARAMEL

1 pako biskota

2 banane

1 bustinë puding krem karamel

1 lugë kakao

500 ml qumësht

Për servirje:

Çokollatë e grirë

Presim fillimisht biskotat në copëza të mëdha. Në një formë keku vendosim copëza biskotash dhe një shtresë me banane në feta. Sipër vendosim sërisht një shtresë me biskota.

Në një tenxhere vendosim qumështin që të ngrohet. Shtojmë më pas bustinën e pudingut me krem karamel dhe 1 lugë kakao. E lemë kremin të marrë valë duke e trazuar vazhdimisht që të mos kokrrizohet. Më pas e hedhim kremin e përgatitur në format e kekut mbi shtresën e biskotave. E mbulojmë me një membranë dhe e vendosim në frigorifer për 1 orë.

Pasi e nxjerrim ëmbëlsirën nga frigoriferi e kthejmë përmbys në një pjatancë dhe e dekorojmë sipër me pak karamel të shkrirë dhe çokollatëza të vogla.