Gjellë me bizele dhe patate
Përbërësit:
- 800 gr bizele
- 3-4 kokrra patate
- 1-2 qepë mesatare
- 1 lgj salcë domate
- 3-4 lgj vaj ulliri
- Kripë, piper
- Dafinë, Kopër
Përgatitja:
Në një tenxhere hedhim 2-3 lugë vaj ulliri dhe kaurdisim qepën lehtë, më pas shtojmë patatet e prera në kubikë mesatar dhe vazhdojmë kaurdisjen. Më pas në anë të tenxheres, duke shmangur patatet, shtojmë salcën e domates dhe shumë pak ujë dhe e përziejmë me lugë. Vazhdojmë kaurdisjen për 1-2 minuta dhe më pas shtojmë ujë në masë të patateve. Vendosim kapakun dhe i lemë patatet të ziejnë. Në gjysmën e zierjes së patateve shtojmë bizelet dhe 1 gjethe dafine. E mbyllim tenxheren me kapak dhe e lemë gatimin të ziejë në temperaturë të ulët. Në fund shtojmë koper të grirë hollë, fikim sobën dhe e lemë gatimin të ajkoset në temperaturën e sobës.