“Gruaja e ngrënshme”, një vepër feministe, plot humor të zi, ku gruaja bëhet një tjetër produkt ‘i ngrënshëm’ dhe i komercializuar për oreksin e krijuar nga mediat... Në studion e “Rreze Dielli” Botuesja Loreta Berhami prezanton një nga librat bestseller të Margaret Atwood “Gruaja e ngrënshme”, një vepër brilante dhe e fuqishme, e mbushur me ironi dhe metafora, një kryevepër e paharrueshme shkruar nga një mjeshtre e vërtetë e letërsisë bashkëkohore.
“Gruaja e ngrënshme”, flet për historinë e një vajze ambicioze dhe jetës perfekte me një burrë premtues. Personazhi kryesor, Mariana ka shumë dilema bashkëkohore, ndihet e pa realizuar dhe sheh pak perspektivë. Kthesa e papritur ndodh kur njihet me Dankenin, i cili i shpërfill të gjitha rregullat shoqërore dhe, ndryshe nga ajo, është I vendosur të shprehë gjithë individualitetin e vet. Rebelimi i vajzës nis pavetëdijshëm nga vetë trupi i saj, i cili fillon të refuzojë ushqimin. Përveçse nuk fut gjë në gojë, ajo ndien se po e hanë. Mariana do të donte të ndihej e tretur nga pasioni, por gjithçka ndien është... konsumimi ditë pas dite. Përmes ushqimit dhe të ngrënit, Atwood tregon rebelimin e gruas ndaj një shoqërie moderne dhe të dominuar nga meshkujt.