Hapet letra prekëse e 62-vjeçares/’ Më mbeti shalli i saj në dorë, humba time bijë dhe burrin’

19 Prill 2022, 19:02

Përshendetje emisioni ’Pa Gjurmë’! ’Ju ndjek gjithmonë dhe prekem sa herë dëgjoj histori që më therin në shpirt. Unë jam një nga të shumtët gra shqiptare që fati na përplasi me dallgët. Jam një nënë që shpirti më vajton për vite me radhë. Marr guximin të kthehem 33 vite pas. Nuk do ta harroj kurrë atë natë, kur fytyra e hënës së plotë ndriçonte detin. Bashkë me tim shoq dhe vajzën 6-vjeçare bëmë sëbashku udhëtimin e fundit. Ishim 11 veta kur me skaf u nisëm nga Ksamilit drejt Korfuzit atë natë të ftohtë, fillim shkurti. Me vajzën në prehër mendjen ma trazonte ankthi, por edhe shpresa se shumë shpejt do të arrinim në breg. Ndërsa kishim bërë thuajse mesin e rrugëtimit në det të hapur frika na mbështolli trupin me mornica, jo prej të ftohtit, por prej momentin kur skafi nisi të fuste ujë. E gjitha ndodhi sa hap e mbyll sytë. Të gjithë iu dhamë detit. Veten e gjeta në ujë pa vajzën time. Shihja vetëm fytrën e mavijosur të bashkëshortit që më kërkontë ndihmë. Ndërsa unë thërrisja Esmeraldën time. Ia dëgjova zërin e mbytur nga larg dhe një tjetër zë burri që më thoshte se e kishte shpëtuar. Nuk mendova më për veten por renda me not drejt zërit që kishte vajzën time. Arrita ta kapja për dore, kur në atë moment dikush ma tërhoqi sërish. Më shkuli zemrën nga vendi që rrihte fort në përpjekje për të mbijetuar. Hëna shkëlqente ende shallin e bardhë të time bije, por imazhi i saj m’u zhduk si mirazh. E humba atë dhe bashkëshortin, të vetmit që nuk u gjetën. Mbeta qyqe me krahë hapur dhe përpëlitesha në det si pulëbardhë e plagosur. Luftova për tri orë ndërsa në mes të detit jehonte zëri im teksa thirrja Esmeralda. Isha një nënë e re 29-vjecare që fati më përplasi keq. Ende nuk mund ta besoj se nga erdhi ai shpëtim nga hici, kur një djalë i ri mundi të më shpëtonte jetën. Nuk doja të dilja e gjallë nga deti, por ai më pohoi se vajzën e kishin shpëtuar. Zemra m’u ngrit peshë dhe nuk ndjeva më acarin që më kishte përshkruar trupin. U ngjita në skafin e tij dhe dolëm në breg, me shprësën se vajza kishte mbërritur para meje. Përveç habisë së të gjithëve sesi kisha mundur të mbijetoja, ime bijë nuk ishte, por as bashkëshorti im. Që nga ai moment nuk mësova më kurrë asgjë për ta. Në mesin e 11 vetave u gjetën të pajetë vetëm trupat e dy personave. Shumë vite më dyshimet janë se vajza ime është gjallë dhe se është adoptuar në Itali. Kam 33 vite që jetoj në shtetin grek me djalin tim të vetëm, që fati e desh të mos ishte me ne atë natë të kobshme’