E ftuar në studion e “Rreze Dielli” në Report TV, një nga artistet më të dashura të qytetit të Korçës. Jorgjeta Lalazi, ish-këngëtarja e grupit Nostalgjia, rrëfen jetën e saj dhe karrierën muzikore e cila e ka gjenezën nga tradita familjare korçare brez pas brezi. E njohur në të gjithë Korçën si “Lalazka e vogël”, artistja korçare u lind me muzikën, u rrit me muzikën, dhe jeton me muzikën. Ajo rrëfen se marrëdhënia me muzikën ka nisur që në moshë fare të vogël.
Jorgjeta Lalazi rrjedh nga një familje nga më të vjetrat autoktone korçare, është e bija e muzikantit, dirigjentit të talentuar, Raqi Lalazi, një pasionant i muzikës i cili zotëronte të gjitha veglat muzikore. Jorgjeta mes emocionesh tregon se ishte babai, ai që e vinte fare të vogël në gjumë me muzikë. “Nabucco” e Verdit ishte e preferuara e Jorgjetës së vogël. Tingujt e pianos dhe kitarës nuk kanë munguar kurrë në shtëpinë e saj. “Me tingujt e kitarës dhe zërin e babait, harronim çdo dhimbje e vuajtje”.
E rritur në një familje mjekësh dhe muzikantësh, pasionin për artin, muzikën dhe serenetat e vjetra e ka të trashëguar brez pas brezi. “Trashëgimia ime më e madhe e lenë nga babai në sëndukun e Lalazëve - thotë Jorgjeta, - është libri i serenetave të vjetra korçare”. Ajo mes emocionesh tregon se e pati të pamundur të studionte muzikë në Tiranë, por përsëri e gjeti rrugën e saj të artit. “Një aktore për fëmijë e lindur “ -do të shprehej regjisorja korçare e Teatrit të Kukullave, Drita Kallamata, teksa e mbështeti Jorgjeta Lalazin të punonte në këtë institucion si një imituese e zërit fëminor.
Ndër të tjera Jorgjeta Lalazi rrëfen dhe sfidën e vështirë të emigrimit në vendin fqinj, Greqi, ku ajo punonte si pjatalarëse, por këngën nuk e ndali kurrë, madje ajo e shoqëronte teksa punonte në ditët e vështira të emigrimit. “Teksa laja pjatat në restorant, këndoja, pronari i restorantit më dëgjoi e pas disa provave fillova të këndoja në bozuqe këngë të vjetra greke të trashëguara nga babai” – shprehet Jorgjeta.
Sot, Jorgjeta Lalazi është kthyer në vendlindjen e saj, Korçën e dashur, ku vazhdon traditën familjare të këndimit të serenatave, këngëve të dashurisë, të emocionit dhe përjetimit të tejskajshëm të mallit, dhimbjes e brengës. Në studion e “Rreze Dielli” ajo së bashku me grupin “Serenata të zgjedhura” dhuruan emocion përmes një kolazhi serenatash të vjetra korçare.