Me qindra familje shqiptare e kanë aktivitet jetësor mbledhjen e kësaj bime të mrekullueshme, por edhe të bimëve të tjera mjekësore. Trëndafili i egër ose Rosa Canina ka vendlindjen në Evropë dhe Shqipëria është një nga vendet e bekuara me këtë super bimë, për shkak të klimës dhe tokës pjellore. Të huajt shprehin interesin për bimët tona medicinale si rasti i këtij specialisti dhe tregtari të trendafilit të egër nga Hungaria, Fakete Karoly. Kokrrat e trëndafilit të egër janë nga bimët medicinale me efektet më të fuqishme në organizmin e njeriut tregon Ylli Merja. Ato thahen dhe janë të gatshme për të përcjellë të gjitha vlerat e tyre të pakrahasueshme tek njerëzit, kryesisht në formën e çajit. Kjo shkurre e egër është me degë gjëmbore dhe arrin nga 2 në 4 metra lartësi. Ka një rrënjë të gjatë dhe fibroze. Degët e saj çelin lule të bardha ose ngjyrë rozë me nga pesë deri në shtatë petale nga fillimi i pranverës deri në mes të verës. Kokrrat e trëndafilit të egër kanë një përdorim të gjërë medicinal. Ato janë të pasura me vitamina, acide yndyrore, antioksidantë, madje përbëjnë një metodë domethënëse për përfitimin e vitaminës C. Kokrrat e trëndafilit të egër mund të përdoren për çaj, mund të bëhen reçel ose marmaladë dhe mund të përfshihen në shumë ushqime të tjera. Varianti i tyre i thatë që përdoret në çaj është kryesisht më popullori. Duke u nisur nga pesha, trëndafili i egër përmban 40-50% më shumë vitaminë C se portokalli. Përgatitja e një doze lëngu, përdoret edhe si tonik. Në saj të përbërëseve anti-inflamator, kjo bimë e çmuar ndihmon në parandalimin e rrudhave dhe në plakjen e parakohshme. Trëndafili i egër është një nga elementët që duhen përdorur në mekanizmat mbrojtës të trupit. Parandalon infeksionet bakteriale dhe virale, lufton temperaturën, forcon funksionet imunitare, lodhjen, rrit qarkullimin e gjakut në gjymtyrë, rrit fluksin e qarkullimit të ujit në trup dhe shuan etjen.