Jahni me mish viçi dhe patëllxhanë
Përbërësit:
- 4 patëllxhanë mesatarë
- 500 gr mish viçi
- 2 gjethe dafine
- 5–6 kokrra piper të zi
- 1 filxhan kafe ujë të nxehtë
- 1 lugë çaji kimion
- 1 filxhan kafe vaj ulliri
- 1 filxhan kafe vaj luledielli
- 2 qepë mesatare
- 4 domate
- 1 thelpi hudhër
- 1 lugë çaji uthull
- 1 lugë çaji kripë
- 1 copëz lëvore portokalli
Përgatitja:
Pastrojmë patëllxhanët, heqim lëkurën me thikë në shirita një po - një jo. I presim në kubikë dhe i kriposim që të lëshojnë hidhërimin. Në tigan me pak vaj skuqim mishin me dafinë dhe piper, në zjarr të ulët. Kur merr ngjyrë, shtojmë filxhanin me ujë të nxehtë dhe kimionin dhe e lëmë të ziejë. Ndërkohë skuqim patëllxhanët veçmas në një tigan tjetër dhe më pas i shtojmë tek mishi. Kaurdisim qepët e grira me pak vaj ulliri dhe sapo të bëhen transparente hedhim uthullën dhe domatet e grira. I lëmë të ziejnë pak dhe i shtojmë sipër mishit me patëllxhanë. Në një filxhan me ujë të nxehtë vendosim copëzën e lëvores së portokallit. Kur lëshon aromë e hedhim tek tenxherja dhe e lëmë gatimin të ziejë ngadalë derisa të trashet salca dhe mishi të zbutet.





















