Jahni me plëndës, gatimi tradicional me shije ndjellëse nga zonja Albana

8 Tetor, 12:07

Jahni me plëndës

Përbërësit:

  • 1 kg plëndës viçi
  • 1 filxhan kafeje vaj ulliri
  • 1 lugë gjalpë të tretur
  • 1 kokërr qepë mesatare
  • 1 lugë miell
  • 1 lugë salcë
  • 1 gjethe dafine
  • 2-3 lugë uthull
  • Disa thelpinj hudhër
  • Majdanoz të freskët
  • Pak piper të kuq
  • Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Në fillim plëndësi lahet me ujë të ftohtë të bollshëm. Më pas vendoset në një enë dhe përvëlohet me ujë të vluar për 30 sekonda. E pastrojmë me kujdes nga pjesa e brendshme duke e kruar me thikë derisa të jetë tërësisht i bardhë pa as më të voglën shenjë. E lajmë edhe disa herë mirë dhe e vendosim në nje tenxhere me ujë të ftohtë për t'u zier në zjarr të ngadaltë. Gjatë zierjes i heqim disa herë shkumën dhe i hedhim piper të zi e kripë sipas dëshirës. Pasi plëndësi të ketë zier e presim në copa të vogla dhe e lëmë mënjanë. Marrim një tenxhere, hedhim vajin e ullirit sa të ngrohet, shtojmë gjalpin dhe kur tretet gjalpi, hedhim qepën e grirë në rende. E përziejmë me lugë druri derisa të zverdhet, më pas i shtojmë dhe 1 lugë gjelle miell. I përziejmë në zjarr tě ngadaltë dhe më pas i shuajmë me një lugë salcë të cilën e kemi tretur në pak ujë. Shtojmë këtu edhe kripë, piper të zi, piper të kuq dhe gjethe dafine. I përziejmë së bashku dhe shtojmě pak uthull dhe lëngun në të cilin kemi zier plëndësin. E lëmë të gatuhet në zjarr të ngadaltë. Para se ta heqim nga zjarri shtojmë hudhrat të cilat i kemi rrahur në havan dhe janë bërë si pelte. I pëziejmë mirë me lëngun, e lëmë të marrë edhe një valë dhe e shërbejmë të ngrohtë duke hedhur në pjatë pak piper të zi, uthull dhe majdanoz.