‘Je muzika ime’ Fitnete Tuda emocionon bashkëshortin, rrëfim për dashurinë, familjen, pengjet…

3 Janar, 10:49

Kanë kaluar plot 29 vite nga debutimi i saj i parë me këngën “Rrugë” në Festivalin e RTSH-së në vitin 1995. Vajza nga Struga, muzikën do ta niste në mes të ndjenjës së shqetësimit për atë që po ndodhte dhe të gëzimit, që po realizonte ëndrrën e saj, por duke mos e kuptuar se po krijonte këngë të cilat do të dëgjoheshin edhe vite më vonë. Shiu i rrëmbyeshëm në Tiranë gjatë dhjetorit të 1995 i kishte mbetur si një mirazh në mendjen e saj. Vetëm në shtatorin e vitit 1996 ajo do të krijonte e realizonte këngën “Shi bie në Tiranë”, refrenin e të cilit e kishte kënduar një ditë shtatori teksa ecte bregut të liqenit të Strugës. Sot kjo këngë vijon të mbetet një hit i padiskutueshëm.  

Jemi me Fitnete Tudën në studion e “Rreze Dielli” së bashku me bashkëshortin e saj Visar Duli, në një rrëfim të ngrohtë mbi muzikën, familjen dhe dashurinë. Së bashku çifti me nota humori rrëfejnë historinë e tyre të dashurisë, e cila lindi në koridoret e televizionit ku ata punojnë. Fitnete Tuda punon si gazetare kulture në televizionin e Kosovës, ndërsa bashkëshorti është gazetar sporti. “Si muzika”, një këngë e ndjerë dedikuar bashkëshortit… por dhe përlotje teksa dëgjon tingujt e “Shprese” këngën të cilën Fitnetja ia ka dedikuar nënës së saj, shkrimtares për fëmijë Shpresa Tuda, e cila ka ndërruar jetë në moshë shumë të re.