Kantautori Altin Goci në një rrëfim për muzikën, marrëdhënien me gruan dhe vajzat

28 Korrik 2023, 14:05

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” Altin Goci, kantautori i njohur, pjesëtar i grupit “Ritfolk”, një nga grupet e para muzikore që u krijua pas viteve `90. Altin Goci dhe Sajmir Braho prodhuan për vite të tëra hite të padiskutueshme si “Ëndërroj”, “Dëshirë dhe heshtje”, “Drejt fatit tim” të cilat këndohen ende në ditët e sotme njësoj si po ato vite.

Goci rrëfeu rrugëtimin e tij të gjatë artistik nisur nga një ëndërr e disa të rinjve bërë realitet në bankat e Shkollës së Mesme “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet. Ai tregon për popullaritetin dhe famën që mori grupi Ritfolk në ato vite. Me Saimir Brahon, pjesëtarin e dytë të grupit ritakohet herë pas here dhe madje kanë disa projekte artistike së bashku.

Gjatë bisedës, Altini u surprizua me videomesazhe dhe nga dy miqtë e tij të zemrës, Saimir Braho dhe Elton Deda. Në planin personal, jeta e tij është shumë e plotësuar. Është babai i dy vajzave që sot e bëjnë shumë krenar dhe që janë fanset e para të babait të tyre.