Kontrollet fiktive për COVID-19, subjektet me shkelje u toleruan, Apeli i GJKKO kthen në burg mjekun te Instituti i Higjienës! Ndërhynte dhe për tampon jashtë radhe

9 Mars 2021, 12:12

TIRANË- Apeli i Gjykatës kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rikthyer në burg një nga zyrtarët arrestuar pak muaj më parë, i cili së bashku me 13 zyrtarë të strukturave shëndetësore përfituan nga situata e pandemisë së COVID duke shpërndarë tamponë për të përfituar lekë. Gazetari i Report Tv mëson se Niko Nika, mjek te Instituti i Higjienës i është ndryshuar masa e sigurisë nga 'arrest shtëpie' në 'arrest në burg'.

Ndaj 66-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, më shume se një herë dhe “Ushtrim, ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë". Siç është raportuar më herët, Nika ushtronte kontrolle të subjekteve tregtare në lidhje me masat anti-COVID si dhe përmes përfitimeve materiale shmangte vendosjen e gjobave apo mospenalizime të ndryshme që lidheshin me respektimin e masave për pandeminë. Për këtë ai ushtronte ndikim tek personat e tjerë dhe falsifikonin dokumente ku gjoja nuk ishin konstatuar shkelje.

Gjithashtu, si rezultat i përgjimeve të kryera më herët nga SPAK, Niko Niko ka ndërhyrë edhe në kryerjen e tamponëve jashtë radhe. Ai luante rolin e sekserit, ku persona që kishin nevojë urgjente për të bërë testin, për motive të ndryshme, si nevojë dokumentacioni, Nika ndërhynte të mjekët, kundrejt një shume të caktuar parash.