Çfarë të lexojmë poshtë çadrës? Kryesisht libra argëtues, që s’kërkojnë shumë përqendrim, por që, nga ana tjetër, edhe të përfshijnë me subjektin e tyre, janë gjithmonë në kërkim gjatë stinës së nxehtë. Të lexosh gjatë pushimeve është një aktivitet rigjenerues për mendjen, duke të dhuruar mundësinë të zhytesh në rreshtat e një romani, proze apo eseje.
Aida Baro, kryeredaktore e Botimeve Pegi, sugjeroi për fëmijët "Çfarë të bëjmë me..." tre libra pozitivistë që ndihmojnë të rritur e fëmijë për të përballuar probleme, raste, ide... Ndërsa për të rritur, bestsellerin “Numri 2” nga novelisti francez David Foenkinos; “Biseda rreth seksit” një libër nga terapistja e seksit Vanessa Marin dhe bashkëshorti i saj, Xander Marin si dhe librin e sapo dalë nga Shtëpia Botuese Pegi "Aristoteli dhe Dantja zbulojnë misteret e universit" nga Benjamin Alire Saenz. Ky roman u shndërua në një prej filmave më të kërkuar të vitit 2022, është një histori e një miqësie të madhe, një histori e ëmbël, e pastër dhe që i bën mirë zemrës…