Luçiano Boçi në 'Pa Protokoll': S'mund të them jam në opozitë se do pranoja humbjen, ne jemi ende në betejë

7 Maj 2021, 23:05 | Përditesimi i fundit: 2021-05-07 23:11:12

Luçiano Boçi, i cili fitoi mandatin e deputetit për PD në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 25 prilli, ka habitur me deklaratat e tij në emisionin "Pa Protokoll"  në Report Tv. I pyetur se ku gaboi që dolën në opozitë, ai tha se nuk mund të thotë se është në opozitës pasi i bie të pranojë humbjen e zgjedhjeve dhe për këtë tha Boçi nuk qëndron pasi beteja vijon ende dhe këtë herë do të bëhet ne organet e reja të drejtësisë me dokumentimin e krimeve zgjedhore dhe manipulimit të votës.

Boçi tha se zgjedhjet e 25 prillit ishin masakër zgjedhore dhe kjo kishte nisur shumë më parë se ditën që të mbaheshin dhe se PD kishte denoncuar disa herë po SPAK nuk bëri asgjë."Unë nuk them po jam në opozitë se do pranojë humbjen, ne jemi ende në betejë. Jemi në një betejë ligjore ku në mes janë organet e reja të drejtësisë. Jemi para një krimi zgjedhor dhe kjo është bërë nga qeveria. Nuk u hodhën vetëm para, por u përdorën fonde shtetërore, u dhanë lejë legalizimi, u punësuan me kontrata, u dhanë edhe paga lufte. Kemi bërë denoncime publike 6 muaj para zgjedhjeve dhe nuk është bërë asnjë veprim, dolën të dhënat personale që ishte krimi më i madh zgjedhor dhe asnjë gjë s'u bë nga SPAK", tha Boçi.