Në studion e ‘Rreze Dielli’ në skype me shkuesin (mesitin) Enver Dajaku, i cili prej 20 vitesh bashkon çifte. Ai tregon se deri tani ka lidhur mbi 340 çifte dhe këtë dhunti e ka të trashëguar nga familja.
Në Kosovë, mesitin Enver Dajaku e njohin të gjithë pasi është shkues popullor, ndërmjetësues në njohjen dhe bashkimin e çifteve. Dajaku tregon se në vitet e kaluara ka qenë më e vështirë njohja e personave, ndërsa në ditët e sotme është pak më e lehtë, por me më pak bereqet, shprehet ai. Vitet e fundit, thotë Enveri, përveç Kosovës ka pasur kërkesa për shkuesi edhe nga djem nga Berati, Kosova dhe Tirana.
I pyetur nga moderatorja sesi bëhet e mundur shkuesia, si dallohet përshtatshmëria mes çiftit, Enveri thotë “Hapi i parë është mosha, parja e fotografive të vërteta, pa rrena të djalit dhe vajzës, mbiemri i familjes është shumë i rëndësishëm dhe më pas pyesim nëse vajza apo djali kanë ndonjë defekt apo ves”. Ai tregon se shumë çifte i janë mirënjohës dhe për të është kënaqësi e madhe kur takon pas disa vitesh çiftet që ai ka kurorëzuar me sukses në një martesë të lumtur.