Mëlçi me qepë, domate dhe erëza nga zonja Albana

23 Shtator, 11:34

Mëlçi me domate dhe erëza

Përbërësit:

  • 500 gr mëlçi
  • 5-6 domate të thara ose 1 domate
  • 4-5 thelpinj hudhër
  • 1 kokërr qepë
  • 2 filxhanë kafeje vaj ulliri
  • 200 ml verë e bardhë ose 3-4 lgj uthull
  • 1/2 tufë majdanoz
  • Pak arrë moskat
  • Pak piper i kuq
  • Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Pastrojmë mëlçinë dhe e presim në feta të holla. E vendosim në një tas qelqi dhe e marinojmë me pak kripë, me 1 filxhan vaj ulliri, piper të zi, arrë moskat dhe verë të bardhë. E lëmë kështu 2-3 orë. Grijmë imët hudhrën dhe e skuqim së bashku me qepën e grirë. E trazojmë derisa të zbutet. Shtojmë piperin e kuq. Hedhim mëlçinë e marinuar dhe e skuqim pak. Domaten e tharë, të vendosur në ujë, për t'u njomur, e grijmë në copa të vogla dhe e përziejmë me mëlçitë. Nëse nuk kemi domate të thara, përdorim tulin e 1 domateje të kuqe. E mbulojmë me ujë, vendosim kapakun dhe e lëmë të ziejë, derisa të mbetet me pak lëng. E provojmë për kripë. Nëse dëshirojmë i hedhim pak piper djegës. Përsipër i grijmë majdanozin dhe e lëmë të pushojë pak, por me kapak të mbyllur.