Musaka me presh dhe mish të grirë nga zonja Albana

18 Nëntor, 11:01

Musaka me presh dhe mish të grirë

Përbërësit:

  • 1 kg presh
  • 400-500 gr mish i grirë
  • 1 qepë mesatare
  • 2-3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 2 domate / 2 lugë gjelle salcë
  • 1 gotë kos
  • 2 vezë
  • 2 lugë gjelle miell
  • Kripë, piper

Përgatitja:

Fillimisht presim preshin në feta të holla dhe e vendosim të ziejë në një tenxhere me ujë të vluar me pak kripë, për 5-7 minuta derisa të zbutet pak. E kullojmë dhe e lëmë të ftohet. Ndërkohë në një tigan ngrohim vajin e ullirit dhe skuqim qepën e grirë derisa të bëhet transparente. Shtojmë mishin e grirë dhe e kaurdisim mirë derisa të thahet lëngu. Më pas shtojmë domatet e grira ose salcën e domates, kripën, piperin dhe nëse dëshirojmë dhe pak arrë moskat. E lëmë të ziejë për 10 minuta derisa të trashet masa. Fillojmë montojmë musakanë, në një tavë të lyer me pak vaj, shtrojmë gjysmën e preshit si shtresë të parë. Sipër preshit shtojmë mishin e grirë dhe e përhapim në mënyrë të njëtrajtshme. E mbulojmë më pas me pjesën tjetër të preshit. Rrahim vezët me kosin dhe miellin derisa të bëhet një masë homogjene dhe e shtrojmë në tavë, të cilën e vendosim në furrë të parangrohur në 180°C për 30-40 minuta, derisa sipërfaqja të marrë një ngjyrë të artë.