New York- u vishet kuq e zi, në paradën e madhe shqiptare. Në skype me Leonard Balaj i cili jeton prej 20 vitesh në Amerikë, tregojmë momente nga ceremonia madhështore. Falë përkushtimit dhe pasionit ai sot renditet ndër agjentët imobiliar më të suksesshëm në New York.
Para pak ditësh është mbajtur në New York parada më e rëndësishme e shqiptarëve që organizohet çdo vit në muajin Qershor. E kthyer në një traditë tashmë, mijëra shqiptarë të veshur kuq e zi marshuan në rrugët e qytetit. Në këtë paradë nuk munguan këngët dhe vallet patriotike duke sjellë një atmosferë elektrizuese. Parada i dedikohet lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe është edicioni i 15-të që organizohet në New York.
Leonard Balaj përveç emocioneve të parakalimit në paradën kuq e zi, rrëfen dhe kalvarin e gjatë të emigrimit nga Shqipëria në Itali dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fillimet e tij në NY, me ndihmën e familjarëve hapi një restorant të vogël që u bë i njohur pasi krijoi një sanduiç që i vuri emrin e Papa Franceskut. Fillimisht klientët mbetën të habitur, por më pas të gjithë porosisnin sanduiçin për 5 dollarë në nder të Papës duke thënë se ishte vërtet i shijshëm. Nuk e ka më restorantin që kishte dikur, por merr pjesë aktive në të gjithë organizimet e shqiptarëve, duke bërë shumë humanizëm me njerëzit e pamundur, pasi kujton gjithmonë vitet e para të vështirësive të emigrimit. Aktualisht Leonard Balaj është një agjent imobiliar shumë i suksesshëm dhe i vlerësuar me disa çmime në NY.