Nga Farka në Palasë me helikopter, emocion dhe adrenalinë, rrëfehet ekuipazhi

29 Nëntor, 13:57

Gati një vit më parë Shqipëria u pajis nga aleati ynë Strategjik, Shtetet e Bashkuara, me dy helikopterë shumë të avancuar, UH-60 apo siç njihet ndryshe “Black Hawk”. Modeli i famshëm që fjalë për fjalë do të thotë “Skifteri i zi”, ju shtua Forcave të Armatosura, duke i dhënë mundësinë vendit tonë që të përmbushë më së miri misionet taktike dhe operacionale të emergjencave civile dhe ushtarake. Sot ekuipazhi i “Black Hawk”-ut po bëhet gati për një fluturim stërvitor nga baza e Farkës, për në Palasë, pranë një humnere ku është simuluar një aksident në mal, një fluturim të cilin e ndjekim me kameran e ‘Rreze Dielli’ për të marrë emocionet, por dhe adrenalinën e fluturimit së bashku me ekuipazhin. Si në çdo fluturim rutin, kontrolli teknik i mjetit është rreptësisht i detyrueshëm nga stafi teknik, procedurë që na e shpjegon Kapiten Ertion Kodra. Helikopteri drejtohet nga Nënkolonel Ervin Buzi si dhe nga e vetmja pilote vajzë që po trajnohet për drejtimin e “Black Hawk”, Togere Armela Murati. Për Nënkolonel Ervinin, me më shumë se 18 vite përvojë si pilot helikopteri dhe me 1700 orë fluturimi, kënaqësia që merret në ajër nuk përshkruhet me fjalë, ndërsa shprehet se këtë profesion nuk do t’a ndërronte me asgjë  në botë, edhe pse është  i ndërgjegjshëm se orët larg familjes nuk numërohen. Pjesë e ekuipazhit është dhe Kapter Blendi Zaimi, i cili mban detyrën e Aeroshpëtuesit, në operacionet e kërkim shpëtimit. Ai është ulur me litar në vendin dhe kohën e duhur, pikërisht në momentet kur diferencën mes jetës dhe vdekjes e bënin sekondat. Helikopterët e rinj do të ndihmojnë gjithashtu në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe për mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje. Sipas tratativave me partnerët tanë amerikan, mësohet se deri në vitin 2030 Shqipërisë do i shtohen dhe 4 helikopterë të tjerë UH-60, duke e çuar kështu në 6 numrin e këtij modeli kaq të avancuar dhe multifunksional.