Flasim në studion e ‘Rreze Dielli’ me etnografen Afërdita Onuzi dhe Shefin e kuzhinës Bledar Kola për traditat, zakonet dhe recetat tradicionale të Lezhës dhe zonave përreth saj
Duke studiuar veprat e shumëllojshme historike, artistike, folklorike, krijimtarinë popullore dhe kulinarinë mund të mësosh shumë rreth kulturës, zakoneve dhe traditave të lashta që vendi ynë me fanatizëm ruan. Në Lezhë edhe në ditët e sotme ruhen shumë tradita si në veshje, instrumenta, këngë e artizanat. Rajoni trashëgon dhe kultivon një thesar të pasur e të bukur folklorik ku pasqyrohet vitaliteti, kultura materiale dhe ajo shpirtërore.
Veshjet popullore, janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale dhe asaj kombëtare. Zadrima e Lezhës është një zonë ku kjo pasuri etnografike përcillet nga brezi në brez për ruajtjen e traditës. Veshja Kallmetore dhe ajo e Pllanës janë unike dhe nuk gjenden në asnjë krahinë tjetër të vendit. Punimet në tezgjah, ato të realizuara me dorë dhe punimet qeramike janë një trashëgimi e Lezhës. Këngët, vallet, kulinaria, stili i jetesës dhe mikpritja janë një element tejet tërheqës për këdo që e viziton Lezhën dhe krahinat rreth saj.