Nis vaksinimi i 14 mijë punonjësve të transportit publik, Rama-Manastirliu: Sezoni veror i lehtësuar

26 Maj 2021, 14:30 | Përditesimi: 26 Maj 2021, 14:30

TIRANË- Sot nisi procesi i vaksinimit për punonjësit e transportit publik me vaksinën AstraZeneca dhe Sputnik-V. Report Tv mëson se në total do të jenë 14 mijë  punonjës që do të marrin dozën e vaksinës në çadrën e ngritur prej disa javësh në sheshin 'Skëndërbej'. Procesi i vaksinimit masiv po vijon edhe me vaksinimin e punonjësve të transportit ndërqytetas. Ky sektor ka qenë ndër të parët që kanë kërkuar të vaksinohen për shkak të rrezikut që i kanosej si rrjedhojë e numrit të madh të qytetarëve që udhëtojnë me autobusë, ku është e pamundur që të ruhet distanca fizike.

Të pranishëm gjatë nisjes së procesit ishte edhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, të cilët u shprehen se situata epidemiologjike në vend është përmirësuar ndjeshëm. Me lehtësimin e situatës dhe vijimin e vaksinimit masiv në vend, Rama tha se nesër do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve për lehtësimin e masave antiCOVID. Rama tha se ky sezon veror pritet që të jetë më i lehtësuar në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa Manastirliu ushtoi se me ardhjen e dozave të reja të vaksinave do të ulet dhe grupmosha për kryerjen e vaksinës duke ulur edhe më shumë riskun e infektimit të popullatës nga COVID-19

Mjekët deri më sot kanë argumentuar se mund të hiqet maska me detyrim në ambientet e jashtme dhe ora policore, megjithatë pritet se çfarë do të vendos komiteti ditën e nesërme.

Në total, që nga fillimi i këtij procesi, janë vaksinuar 736.365 persona. Në Shqipëri deri më tani kanë mbërritur më shumë se 847 mijë doza të vaksinës kundër COVID, ku vaksinimi masiv vijon me program kalendarik për kategoritë e ndryshme, ndërsa qeveria ka vendosur si objektiv kryerjen e 1 milion vaksinimeve brenda qershorit.

Vaksinimet kanë ndikuar edhe në uljen e kurbës së infektimeve në vendit tonë, ku si rezultat i 3,366 testimeve, dje u konfirmuan pozitivë 14 qytetarë. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë vendosi edhe mbylljen e pavijoneve COVID në spitalet Rajonale.

b.ha./Shqiptarja.com