Me kameran e ‘Rreze Dielli’ kemi shkuar në Lushnje, në oborrin e Përparim Agaçit. Nëse në pjesën më të madhe të oborreve në shtëpitë tona shikojmë të mbjella lule, në oborrin e Përparimit gjejmë në të gjithë sipërfaqen e tij pemë frutore të bananes, madje ai është i pari që ka mbjellë rrënjën e parë të pemës së bananes, këtij fruti ekzotik në vendin tonë. Ai na rrëfen se fillimi ishte i vështirë, iu desh një vit i plotë për të marrë frutet e para, aroma e bananeve të kopshtit të tij është e mrekullueshme dhe ndryshon shumë nga aroma dhe shija e bananeve që blejmë në treg.
Përparim Agaçi teksa thotë se përkujdesja për rritjen e pemëve të bananes është e madhe, ai zgjohet çdo ditë në orën 5 të mëngjesit për të pastruar lulet e bananes, na rrëfen ndër të tjera se lulet që mbijnë rreth gjetheve të bananes i kanë shpëtuar jetën duke e ndihmuar në një problem të rëndë shëndetësor, pasi në kockat e tij kishte prezencë të metaleve dhe konkretisht të dioksidit të plumbit. Ishte pikërisht specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, pas shumë analizave dhe konsultimeve të ndryshme që i rekomandoi përdorimin e çajit dhe vajit të luleve të bananes dhe sot Përparimi gëzon shëndet të plotë.