Njihuni me gjuetaren 26 vjeçare nga Vlora, trashëgimtarja e vetme femër në ‘400 breza’ tradite

30 Qershor 2023, 12:33

Majlinda Xhaferaj, 26 vjeçarja nga Vlora, avokate e gjuetisë. E shkolluar në Izrael dhe Greqi për Okulistikë dhe Administrim Biznesi, Majlinda flet për pasionin e saj më të madh, gjuetinë.

“Gjuetia ka qenë pjesë normale e fëmijërisë time të hershme. Stër-stërgjyshi im, stërgjyshi im, gjyshi im kanë qenë gjahtar me emër. Ashtu është edhe babai im. Une jam vajza e parë në familje që trashëgoj këtë traditë. Në gjuhën popullore: gjuetinë e kemi traditë në 400 breza” shprehet Majlinda.

Që në moshën 7-vjeçare babai e merrte me vete për gjah dhe që prej asaj kohe nuk ka rreshtur së dali për gjueti. Ishte babai ai që i ka mësuar të gjitha rregullat e gjuetisë, sigurisë, mbijetesës në kushte ekstreme në natyrë, dhe respektimit të natyrës dhe kafshëve. Vitin e kaluar, në 25 vjetorin e saj, prindërit i dhuruan armën e saj të parë të gjuetisë: Fabarm L4S. Por, për arsye të moratoriumit të tretë, nuk ka mundur ta përdorë ende armën e re. Por pasionin e saj e ka zhvilluar dhe në fushën e qitjes, fillimisht në qitjen e objektivave statik dhe më pas me qitje në pjatele.