Paçe koke, shije e shkëlqyer që do ju ngelet në mendje nga zonja Albana

24 Shtator, 11:44

Paçe koke

Përbërësit:

  • 1 kokë (qengji, dele, dhie apo viçi)
  • 1 kokërr qepë
  • 5 lugë supe vaj
  • 1 lugë supe gjalpë
  • 4-5 thelpinj hudhra
  • 1 lugë supe miell
  • 1 lugë kafeje piper i kuq
  • 7-8 kokrra piper i zi
  • 1 gotë mesatare verë
  • 2-3 lugë uthull
  • 2 gjethe dafine
  • Pak majdanoz
  • Pak spec djegës
  • Kripë, rigon

Përgatitja:

Ziejmë kokën në zjarr mesatar me pak kripë. Veçojmë mishin dhe e kaurdisim së bashku me qepën e grirë shumë hollë, derisa qepa të jetë tretur. Shtojmë piperin e kuq dhe e përziejmë disa herë sa të marrë vaji ngjyrën e kuqe. E shuajmë me verë dhe uthull e më pas hedhim hudhrat e shtypura, piperin e zi, specin djegës, kripën dhe rigonin. Ujin e kemi nxehur dhe ia shtojmë paçes, aq sa racione duam të përgatisim. Në një tigan skuqim 1 lugë miell me gjalpë sa të marrë pak ngjyrë, e lëmë të ftohet dhe e tresim me pak ujë të ftohtë që të mos bëhet me kokrriza. E shtojmë në lëngun e paçes dhe e përziejmë mirë derisa të ajkoset. Hedhim gjethet e dafinës dhe majdanozin e grirë. E provojmë për shijen e kripës e të athtësisë. Të gjitha bashkë, duhet të ziejnë 5-6 minuta, pastaj e largojmë nga zjarri dhe e shërbejmë të ngrohtë.