Paditi Google për diskriminimin e shqipes, shqiptari: Nuk dorëzohemi, kemi humbur miliona!

17 Tetor 2023, 12:04

Dy shqiptarë ngrenë padi ndaj Google, i kërkojnë të njihet gjuha shqipe. Në skype me njërin prej paditësve, dr. Neshad Asllani, për të na shpjeguar si erdhi ky vendim dhe çfarë problemesh sjell diskriminimi ndaj gjuhës shqipe dhe dëmet në media, marketing, investime të huaja, ekonomi etj…

Kush janë dy shqiptarët që kanë paditur kompaninë Google?

Padia që është ngritur pak ditë më parë në SHBA kundër Google, pasi kjo e fundit nuk e ka përfshirë gjuhën shqipe në përdorimin e përditshëm dhe në platformat e saj, është ngritur nga Haki Dervishi, shtetas shqiptaro-amerikan me banim në Palm Springs Kaliforni, i dekoruar rishtazi nga Presidenti Biden me Dekoratën dhe Mirënjohjen Jetësore për kontribut të vazhdueshëm për kombin Amerikan, dhe Dr. Neshad Asllani, mjek i njohur nga Kosova, themelues i “Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut” dhe anëtar bordi në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në New York. Në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, për shkak të diskriminimit që kjo kompani i bën gjuhës Shqipe është ngritur një padi, pasi ky diskriminim ndaj gjuhës shqipe ka sjellë probleme të mëdha në zhvillimin e biznesit, në fushën e medias, marketingut dhe teknologjisë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që flitet shqip.