Paluze me arra e pjekur në furrë
Përbërësit:
- 250 gr niseshte
- 500 ml ujë
- 500 ml qumësht
- 1 e verdhë veze
- 200 gr sheqer
- 2+1 lugë supe gjalpë
- 150 gr arra të thyera
- 1 pako vanilje
- Pak sheqer pluhur
Përgatitja:
Fillimisht skuqim gjysmën e masës së sheqerit e më vonë hedhim gjysmën tjetër, më qëllim që të mos marrë ngjyrë shumë të errët. Hedhim ujin dhe 2 lugë gjalpë, e përziejmë derisa të tretet sheqeri. Shtojmë qumështin, në të cilin kemi tretur niseshtenë dhe vaniljen, duke e përzier vazhdimisht me një tel ëmbëlsirash. Kur e shohim që masa është ajkosur e trashur, e heqim nga zjarri dhe i shtojmë arrat e grira. E përziejmë mirë, që arrat të shpërndahen njëlloj në të gjithë masën. Lyejmë tavën me pak gjalpë dhe shtrojmë masën e paluzes, të cilën e lyejmë me një të verdhë veze, të përzier me një lugë qumësht. I hedhim përsipër edhe pak gjalpë. E pjekim në furrë të nxehur, në 200 gradë për 25 minuta. E lëmë të ftohet dhe e presim në format që dëshirojmë, duke e pudrosur me sheqer pluhur.