Pashaqofte, supa tradicionale e vjetër nga zonja Albana

26 Tetor 2023, 12:31

Supë me pashaqofte me oriz

Përbërësit:

Për pashaqoftet:

  • 500 gr mish të grirë
  • 1 qepë
  • 1 karrotë
  • 1 vezë
  • ¼ fç vaj ulliri
  • ¼ fç oriz
  • Kopër, majdanoz
  • Kripë, piper

Për supën:

  • 4 lgj vaj ulliri
  • 1 karrotë
  • 1 patate
  • 1 presh
  • 2 limona
  • 1 lgj niseshte
  • 2 vezë
  • Piper i freskët
  • Koper

Përgatitja:

Pasi kemi larë orizin, e kullojmë dhe e vendosim në një tas ku shtojmë mishin e grirë, karrotën e grirë në rende, qepën e grirë imët, majdanozin dhe koper të prera hollë pa bishta, një vezë, pak vaj, kripë dhe piper. E trazojmë mirë brumin e pashaqofteve derisa përbërësit të lidhen me njëri tjetrin dhe e lemë brumin të pushojë.

Ndërkohë fillojmë me përgatitjen e supës, kaurdisim preshin të prerë në feta të holla, karrotën dhe pataten të prerë në kubikë. Pasi perimet ndryshojnë pak ngjyrë shtojmë rreth 1 litër ujë dhe i lemë të ziejnë në temperaturë mesatare. E punojmë dhe njëherë brumin e qofteve me duar dhe fillojmë realizojmë qofte të vogla rrumbullake sa një kokërr arrë. Vendosim qoftet në tenxheren e supës. Shtrydhim lëngun e 2 limoneve dhe tresim 1 lugë niseshte. Ndajmë të verdhat e vezëve nga e bardha. Të bardhën e rrahim në marengë të lehtë dhe më pas shtojmë të verdhat dhe niseshten e tretur në lëngun e limonit. Marrrim pak lëng nga supa për të rregulluar temperaturën që vezët të mos priten dhe masën e përgatitur e shtojmë tek supa. Nuk e përziejmë me lugë, por luajmë tenxheren duke e kapur nga dorezat në mënyrë që të mos shpërbëhen pashaqoftet. E lemë supën të marrë valë në temperaturë mesatare derisa pashaqoftet të gatuhen plotësisht.