Përdhunimi i ‘Julias’ në Pa Gjurme /Nëna e braktisi, 14-vjecarja përfundon në rrugë

8 Korrik 2022, 18:44

Përshëndetje emisioni ’Pa Gjurmë’! Unë që po ju shkruaj marr shkas nga shumë prej historive të ngjashme që ju keni trajtuar, aty ku unë kam gjetur copëza të jetës sime. Si çdo fëmijë tjetër, që nuk mundi të rritej në një familje të shëndoshë edhe unë nuk e mora kurrë ngrohtësinë prindërore. Quhem Julia dhe erdha në jetë në vitin 1979. Deri në moshën 7-vjeçare kam jetuar me tezen dhe gjyshen, kur mami u rimartua. Ende e vogël për ta përtypur këtë dramë në jetën time, përfundova në jetimoren e Sarandës. Duhet të ketë qenë diku nga viti 1985, kur u përballa me një ambjent bullizues dhe ngacmimesh. I shpëtova këtij makthi në moshën 14-vjecare kur u zhvendosa në Vlorë, për t’u regjistruar në shkollën tregtare. Një jetë si nëpër filma, një fëmijë që ishte shumë pranë nënës por dhe aq larg saj. Nuk e kisha pranë në asnjë episod të jetës sime, as në momentet më të vështira . As kur isha viktimë e një perdhunimi në moshën 14-vjeçare. As kur mundohesha të rigjeja forcën për t’u ringritur, as kur mbeta rrugëve ne mes te Tiranës, ku dajat e mi më dërguan duke më braktisur më pas. As kur mësova se isha 6-muajshe shtatzënë dhe flija trotuareve. Dera m’u mbyll përgjithnjë, ditën kur njerku ma përplasi në fytyrë. Nuk doja që historia të përsëritej, isha betuar së fëmijën tim nuk do ta lija kurrë. Solla në jetë një vajzë, që e desha më shumë se jetën time. Zerova gjithçka, duke u munduar të harroj çfarë kisha kaluar, për të nisur gjithçka nga e para. U largova përfundimisht nga Shqipëria, nga njerëzit që më kishin lënduar dhe më kishin shkatërruar jetën. 11 vite në Holandë gjeta mundësinë për të jetuar, fati më gjeti për të njohur një tjetër person, që hyri në jetën time, për të më dhënë shtyrjen e fundit drejt greminës. Isha e vetme me një vajzë 3-vjeçare në një vend të huaj. Kalvari i vuajtjeve më përndjek edhe sot e kësaj dite. U bëra nënë për herë të dytë, solla në jetë një djalë. Në 37 vitet e jetës sime kam kaluar në shtigje të vështira mes dhembjes pafund. Sot kam dy vite pa vajzën dhe djalin rrezikoj ta humb gjithashtu. Në kërkim të drejtësisë jam vënë përballë autoriteteve holandeze, të cilat kërkojnë të më heqin përgjegjësinë prindërore. Fatin tim nuk e ndryshova dot, por kërkoj ndihmë për hir të fëmijëve të mi, në përpjekje për të qenë me ta. Më mirë se kushdo tjetër, unë e di cdo të thotë të të mungojë dashuria e nënës. Deshiroj qe letra ime te mberrij tek ju dhe te lexohet ne program. Te pershendes Odeta Dhe me shume respekt Julia