Problemet që sjellin këmbët e sheshta dhe mënyrat e trajtimit, i ftuar fizeoterapisti Ilvi Begolli

23 Janar 2020, 14:49

Në gjuhën popullore quhet dustaban, por ‘këmbët e sheshta’ janë një problem që hasen te shumë njerëz, duke u shndërruar edhe në një nga problemet më të shpeshta të gjymtyrëve të poshtme të njeriut.

Këmbët e sheshta janë një gjendje e përcaktuar kur harqet gjatësore ose tërthore të këmbës janë të sheshtë.

I ftuar në “Rreze Dielli” ortopedi Ilvi Begolli ka sqaruar se ç’ndodh me trupin kur dikush ka këtë problem. Megjithatë ai shton se kjo patologji, jo gjithmonë shoqërohet me simptoma.

“Këmba e sheshtë sjell probleme dhe patjetër është e pallogaritshme në individë të caktuar. Mënyra sesi e shkarkojmë peshën në një këmbë të sheshtë, pesha jonë bie 100% te këmba kur duhej shpërndarë ndryshe nëse këmba do ishte e harkuar. Mund të kesh dhimbje të kaviljeve, të gishtërinjve, dhimbje të harkut të këmbës, të gjunjëve, mesit, lodhet më shpejt. Kur shikojmë që ka një këmbë të sheshtë, përpiqemi të marrim masa. Përpiqemi te modifikojmë këmbën, të mposhtim forcat e fërkimit, që pacienti të ndihet më mirë. Ka edhe nga ata që kanë një këmbë të sheshtë, por kanë bërë një jetë normale. Është një patologji jo gjithmonë simpomatike.” shprehet në “Rreze Dielli” ortopedi.

Ai pohon se kjo problematikë mund të jetë edhe e trashëguar.