Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 22 Prill 2026 – Receta / Diabeti i tipit 5 / Vaji i ullirit esëll

22 Prill, 15:51 | Përditesimi: 22 Prill, 15:51

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek role me spinaq, karrota dhe proshutë / Supë kremoze me pazi dhe djathë / Reçel me luleshtrydhe.

Një formë e re diabeti po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mjekësisë botërore: “Diabeti i tipit 5”. I njohur tashmë zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit, ky lloj nuk lidhet as me mbipeshën dhe as me stilin modern të jetesës, por me një faktor shumë më të heshtur dhe shpesh të nënvlerësuar: kequshqyerjen në fëmijëri. A është kjo një sëmundje që prek vetëm vendet e varfra, apo një realitet që mund të jetë më pranë nesh nga sa mendojmë? Cilat janë simptomat? Si dallohet nga diabeti i tipit 1 dhe 2? Dhe, më e rëndësishmja, a ka kaluar për vite me radhë pa u diagnostikuar si duhet? Për këtë temë flasim në studion e “Rreze Dielli” me nutricionistin Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike.

Në shumë shtëpi shqiptare, mëngjesi nis me një ritual të thjeshtë: një lugë vaj ulliri esëll. Duket si një zakon i vjetër, i trashëguar nga gjyshet tona, por a ka vërtet përfitime për shëndetin? A është ky një “ilaç natyral” për stomakun dhe tretjen, apo thjesht një mit që vazhdon të përsëritet? A është e nevojshme të konsumohet esëll për të përfituar maksimalisht, apo i njëjti efekt arrihet edhe gjatë vakteve? Shumë besojnë se vaji i ullirit esëll pastron mëlçinë – por a qëndron kjo shkencërisht, a ka efekt apo është thjesht një mit? Po ashtu, në rrjetet sociale qarkullon shpesh ideja se kombinimi i vajit të ullirit me limon “shkrin gurët në tëmth”. A është kjo e vërtetë, apo mund të jetë edhe e rrezikshme? Sot flasim me nutricionistin Altin Joka për këtë praktikë kaq të përhapur: çfarë ndodh realisht në trup kur konsumojmë vaj ulliri esëll, cilat janë përfitimet e vërteta dhe kur duhet të tregojmë kujdes.

MC/Shqiptarja.com